Vdekja e 32 vjeçarit derisa po punonte në KEK, Policia deklarohet për rastin

Një rast i rëndë u raportua dje të ketë ndodhur në KEK. Bëhet fjalë për vdekjen e 32 vjeçarit, Arbenit Ahmeti. Ahmeti humbi jetën derisa po punonte në KEK. Sipas informacioneve të para ai vdiq gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, ku edhe ra në kontakt me tensionin elektrik. Pas kësaj, sindikata…

Lajme

21/08/2026 10:08

Një rast i rëndë u raportua dje të ketë ndodhur në KEK.

Bëhet fjalë për vdekjen e 32 vjeçarit, Arbenit Ahmeti.

Ahmeti humbi jetën derisa po punonte në KEK. Sipas informacioneve të para ai vdiq gjatë angazhimit në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, ku edhe ra në kontakt me tensionin elektrik.

Pas kësaj, sindikata e KEK-ut shprehu ngushëllime, derisa KEK-u më pas njoftoi për formimin e një task-force.

Sipas njoftimit, kjo Task Forcë do të ketë për detyrë të rishikojë protokollet, procedurat, standardet dhe mekanizmat ekzistues të sigurisë në punë, me qëllim identifikimin e mangësive dhe ndërmarrjen e masave për përmirësimin e tyre.

Nga Policia e Kosovës janë deklaruar sot për rastin, ku u bë e ditur se ai fillimisht ishte dërguar në QKMF të Obiliqit për trajtim dhe se pas këtij rasti është arrestuar edhe një person i dyshimtë.

“Nga QKMF Obiliq është raportuar se është sjellë pa shenja jete viktima mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka pasur kontakt me një kabllo të tensionit të lartë. Një person mashkull kosovar është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”

Ndryshe brenda pak muajsh në KEK humbën jetën tre persona, derisa 32 vjeçari Ahmeti do të varroset sot./Lajmi.net/