Zhvarrosja e mbetjeve të tre personave në Kalludër i jep fund gërmimeve disajavore
Zhvarrosja e mbetjeve mortore të tre personave pritet t’u japë fund gërmimeve disajavore në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut. Në lokacionin e parë në këtë fshat janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në Jabukë të 4 personave, ndërsa në lokacionin tjetër në fshatin Kalludër të Vogël janë gjetur mbetje mortore të 6…
Lajme
Zhvarrosja e mbetjeve mortore të tre personave pritet t’u japë fund gërmimeve disajavore në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut.
Në lokacionin e parë në këtë fshat janë gjetur mbetje mortore të 13 personave, në Jabukë të 4 personave, ndërsa në lokacionin tjetër në fshatin Kalludër të Vogël janë gjetur mbetje mortore të 6 personave.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se procesi i gërmimit, vlerësimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore pritet të përfundojë më së largu të premten.
“Pritet që sot ose më së largu nesër të përfundojë procesi i zhvarrosjes dhe vlerësimit të tërë hapësirës apo zonës me interes. Gjatë këtyre ditëve, ekipet janë të angazhuara apo përqendruar në lokacionin e varrit të tretë masiv. E rëndësishme është se tashmë është konfirmuar që mbetjet mortore u përkasin 23 personave, viktima të zhdukjes me forcë. Sigurisht që në ditët e ardhshme do të presim përfundimin e ekzaminimeve mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së”, ka thënë ai.
E në një konferencë për media, ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi që u konfiskua përreth fshatit Kalludër të Zubin-Potokut, do të ekzaminohet për të konfirmuar nëse i njëjti është përdorur për vrasjen e 23 personave të gjetur në këtë lokacion.