Pas vdekjes së katër punëtorëve gjatë këtij viti, KEK-ut i bie ndërmend për formimin e Task Forcës për sigurinë në punë
Vdekja e 32-vjeçarit Arbenit Ahmeti, i cili humbi jetën sot gjatë kryerjes së detyrave të tij në KEK, ka bërë që Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës të ndërmarrin masa të reja për forcimin e sigurisë në vendin e punës. Ahmeti është punëtori i katërt i KEK-ut që ka humbur jetën…
Lajme
Vdekja e 32-vjeçarit Arbenit Ahmeti, i cili humbi jetën sot gjatë kryerjes së detyrave të tij në KEK, ka bërë që Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës të ndërmarrin masa të reja për forcimin e sigurisë në vendin e punës.
Ahmeti është punëtori i katërt i KEK-ut që ka humbur jetën gjatë këtij viti, transmeton lajmi.net.
Pas ngjarjes, Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti kanë zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm, ku janë diskutuar rrethanat e rastit dhe masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e aksidenteve të ngjashme.
Sipas KEK-ut, hetimet për aksidentin janë duke u zhvilluar nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës. Korporata ka bërë të ditur se rrethanat dhe shkaqet e plota të vdekjes së punëtorit do të përcaktohen përmes procesit hetimor.
Në kuadër të masave të reja, Bordi ka kërkuar që të shqyrtohen në mënyrë të detajuar rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e të gjitha niveleve që janë të përfshira në proceset e sigurisë në punë.
Për këtë qëllim, KEK ka paralajmëruar formimin e një Task Force për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë, ku do të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm.
Task Forca do të ketë për detyrë të analizojë në tërësi protokollet, procedurat, standardet dhe mekanizmat aktualë që lidhen me sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve. Përmes këtij procesi synohet identifikimi i mangësive eventuale dhe ndërmarrja e masave konkrete për zvogëlimin e rreziqeve në vendet e punës.
KEK ka njoftuar gjithashtu se vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht ndodhet në fazën e zbatimit.
Rezultatet e këtij vlerësimi do të përdoren si bazë për përcaktimin e masave të mëtejshme që synojnë eliminimin ose reduktimin e rreziqeve me të cilat përballen punëtorët gjatë ushtrimit të detyrave.
Në njoftimin e saj, Korporata ka shprehur ngushëllime për familjet, të afërmit, miqtë dhe kolegët e punëtorëve që kanë humbur jetën.
“Bordi dhe Menaxhmenti mbeten të përkushtuar që siguria dhe shëndeti i punëtorëve të jenë prioritet absolut i Korporatës. Asnjë objektiv operacional apo i prodhimit nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të publikojë edhe hapat dhe masat konkrete që do të ndërmerren për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë.
Postimi i plotë: