KEK sqaron kontratën me ESM-në: Nuk është koncesion, objekti është shitja e qymyrit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar lidhur me deklarimet dhe interpretimet për kontratën e lidhur me kompaninë JSC ESM nga Maqedonia e Veriut për shitjen e qymyrit, duke theksuar se kjo marrëveshje “nuk është koncesion”. Përmes një komunikate për media, KEK ka deklaruar se qëndrimi i saj zyrtar bazohet në përmbajtjen e kontratës së…

Lajme

20/08/2026 13:17

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar lidhur me deklarimet dhe interpretimet për kontratën e lidhur me kompaninë JSC ESM nga Maqedonia e Veriut për shitjen e qymyrit, duke theksuar se kjo marrëveshje “nuk është koncesion”.

Përmes një komunikate për media, KEK ka deklaruar se qëndrimi i saj zyrtar bazohet në përmbajtjen e kontratës së nënshkruar mes palëve dhe se nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e bëra nga palë të tjera.

“Për KEK-un, referencë zyrtare dhe juridikisht e vlefshme është kontrata”, thuhet në komunikatë.

Sipas KEK-ut, në kontratë nuk ka asnjë dispozitë që parasheh koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e Korporatës.

“Në kontratë nuk ekziston asnjë dispozitë për koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e KEK-ut. Objekti i saj është i qartë: SHITJA E QYMYRIT”, thuhet në reagim.

Korporata ka bërë të ditur se kontrata dhe dosja e tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të KRPP-së dhe mund të verifikohen nga qytetarët, mediat dhe palët e interesuara.

KEK ka përsëritur edhe të dhënat kryesore të marrëveshjes, sipas së cilave çmimi është 24.4 euro për ton pa TVSH, ndërsa periudha e kontratës është 36 muaj. Vlera potenciale e kontratës, sipas Korporatës, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro.

Sipas KEK-ut, shitja do të bëhet drejtpërdrejt te përdoruesi përfundimtar dhe pa ndërmjetësues.

Korporata ka sqaruar gjithashtu se nuk do të jetë përgjegjëse për eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit.

“Kjo e mban realizimin e kontratës të ndarë nga proceset operative të Korporatës dhe garanton se shitja e kësaj sasie të qymyrit nuk cenon operimet minerare, furnizimin e termocentraleve me qymyr apo prodhimin vendor të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.

KEK ka theksuar se nevojat e termocentraleve për qymyr mbeten “prioritet absolut”.

Në fund, Korporata u ka bërë thirrje të gjitha palëve që për këtë kontratë t’u referohen dokumenteve zyrtare dhe jo deklarimeve të pakonfirmuara apo interpretimeve të shkëputura.

“Transparenca është obligim. Faktet janë të verifikueshme. Kontrata është publike. Në kontratë nuk ka koncesion”, përfundon komunikata e KEK-ut. /Lajmi.net/