Prokuroria në Pejë ngre aktakuzë ndaj një personi për tentim-vrasje të tre personave

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet M.H., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në…

Lajme

20/08/2026 12:27

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet M.H., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në rrugën “Miftar Zeqa” në Pejë. I pandehuri dyshohet se, i motivuar nga hakmarrja, ka tentuar t’ua marrë jetën tre personave, B.G., A.G. dhe B.G., duke rrezikuar edhe jetën e personit A.U.

Prokuroria pretendon se M.H. kishte siguruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra dhe një sasi të konsiderueshme municioni, ndërsa kishte monitoruar lëvizjet e të dëmtuarve pranë Qendrës së Paraburgimit në Pejë.

Kur të dëmtuarit po largoheshin me një automjet, ai dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke përdorur dy armë të gjata.

Si pasojë e të shtënave, sipas aktakuzës, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa dy të tjerë janë ekspozuar ndaj rrezikut për jetën.

Nga të shtënat janë dëmtuar edhe automjeti në të cilin ndodheshin të dëmtuarit, dy automjete të tjera, si dhe një xham dhe një pjesë e inventarit të Gjykatës Themelore në Pejë. Një plumb kishte depërtuar edhe brenda objektit të gjykatës.

Veprimet e të dyshuarit, sipas Prokurorisë, janë ndërprerë pas intervenimit të Policisë së Kosovës, e cila e ka arrestuar atë.

Gjatë rastit, sipas aktakuzës, janë sekuestruar disa armë dhe municion, përfshirë dy armë të gjata, një pistoletë të tipit RPX9, një revolver të tipit DEIT dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që M.H. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: