Ramadani: LVV-ja po e shkel betimin e deputetit, bllokimi i Kuvendit nuk është as nder e as përkushtim
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se për dy javë po e shkel betimin e dhënë si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ramadani, duke folur nga Kuvendi, ka rikujtuar se më 6 gusht deputetët kanë dhënë betimin e tyre dhe ka renditur disa prej pikave kryesore që, sipas tij, nuk po respektohen…
Lajme
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se për dy javë po e shkel betimin e dhënë si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ramadani, duke folur nga Kuvendi, ka rikujtuar se më 6 gusht deputetët kanë dhënë betimin e tyre dhe ka renditur disa prej pikave kryesore që, sipas tij, nuk po respektohen nga deputetët e LVV-së, shkruan lajmi.net.
“Mos harroni që sot dy javë, më 6 gusht, ne si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kemi dhënë një betim. Dhe më lejoni shkurtimisht t’i përmend disa prej pikave kryesore të betimit”, tha Ramadani.
Ai kritikoi bllokimin e punës së Kuvendit dhe largimin e deputetëve nga salla plenare, duke thënë se një veprim i tillë nuk përkon me detyrën dhe përgjegjësinë e një deputeti.
“Bllokimi i Kuvendit dhe ikja nga salla plenare nuk kanë as nder e as përkushtim. Kështu sikurse po bëjnë, nuk po e kryejnë detyrën e tyre për të cilën janë betuar si deputetë”, deklaroi ai.
Ramadani tha se qytetarët i kanë votuar deputetët për t’i përfaqësuar në Kuvend, ndërsa sipas tij, mungesa në sallë nënkupton mungesë të përfaqësimit të qytetarëve.
“Populli voton deputetët për t’i përfaqësuar dhe këta nuk po e përfaqësojnë popullin duke ikur nga salla e Kuvendit e hiç më hiç përfaqësim me dinjitet”, u shpreh ai.
Deputeti i Aleancës tha se një prej pikave të betimit është edhe angazhimi për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por sipas tij, veprimet e LVV-së paraqesin të kundërtën.
“Angazhimi për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë realisht është angazhim i kundërt. Pra, ka angazhim për shkelje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë”, tha Ramadani.
Ai përmendi si pika themelore të betimit të deputetit: nderin dhe përkushtimin, kryerjen e detyrës së deputetit, përfaqësimin e popullit me dinjitet si dhe angazhimin për mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
“Pra, që dy javë ka shkelje të betimit të deputetit nga ana e LVV-së”, përfundoi Ramadani. /Lajmi.net/