PDK u lë letra deputetëve të LVV-së: Respektojeni Kushtetutën, ejani në sallë dhe konstituojeni Kuvendin
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u kanë lënë nga një letër në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, me thirrje që të marrin pjesë në seancën konstituive dhe të përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ky veprim është bërë gjatë seancës së thirrur me kërkesë të PDK-së, e cila po kërkon…
Lajme
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u kanë lënë nga një letër në tavolinat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, me thirrje që të marrin pjesë në seancën konstituive dhe të përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Ky veprim është bërë gjatë seancës së thirrur me kërkesë të PDK-së, e cila po kërkon që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë, deri në përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, shkruan lajmi.net.
Në letrën e PDK-së thuhet se deputetët duhet ta ushtrojnë mandatin e tyre në interes të qytetarëve dhe jo në bazë të interesave apo urdhrave partiakë.
“Kushtetuta është mbi partinë, Republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet në mesazhin e vendosur në tavolinat e deputetëve të LVV-së.
PDK u bën thirrje deputetëve që të marrin përgjegjësi individuale për funksionalizimin e institucioneve, duke theksuar se detyrimet kushtetuese nuk duhet të kushtëzohen nga kalkulimet politike.
Në komunikatën e saj, PDK thekson se bllokada institucionale po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, të cilët përballen me shpenzime, rritje të çmimeve, tatime dhe probleme të tjera ekonomike.
“Qytetarët tanë nuk mund të presin pafundësisht. Për këto probleme duhet të punojnë institucionet dhe për këto nevoja duhet të flasë Kuvendi”, thuhet në letër.
Mesazhi i PDK-së përfundon me një thirrje të drejtpërdrejtë drejtuar deputetëve të LVV-së:
“Respektoni betimin tuaj. Respektojeni mandatin tuaj. Respektojeni Kushtetutën. Konstituojeni Kuvendin. Bëjeni detyrën tuaj.”
PDK ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë mbajtjen e seancës konstituive dhe funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. /Lajmi.net/
