Të paktën 11 persona të vrarë nga sulmi rus ndaj Kievit
Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh kundër Kievit, duke vrarë të paktën 11 persona dhe plagosur 33 të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase. Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendi i ngjarjes se zjarre kishin shpërthyer në të gjithë kryeqytetin, ndërsa ekipet e shpëtimit po punonin për t’i shuar ato, në…
Bota
Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh kundër Kievit, duke vrarë të paktën 11 persona dhe plagosur 33 të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, raportoi nga vendi i ngjarjes se zjarre kishin shpërthyer në të gjithë kryeqytetin, ndërsa ekipet e shpëtimit po punonin për t’i shuar ato, në kohën kur Rusia vazhdonte sulmin ndaj Ukrainës.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se katet e sipërme të një ndërtese banimi nëntëkatëshe në distriktin Solomjansk ishin dëmtuar dhe kishin marrë flakë pas sulmit, ndërsa njerëz ishin bllokuar në një tjetër ndërtesë banimi dhe disa pjesë të kryeqytetit kishin mbetur pa energji elektrike.
“Numri i viktimave në kryeqytet është rritur në 11, shtatë prej të cilëve në distriktin Solomjansk”, shtoi më vonë Klitschko.
“Ekipet e shpëtimit liruan dy persona të bllokuar nën rrënoja”, raportoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave, duke shtuar se po vazhdonte të merrej me pasojat e sulmit gjatë natës ndaj kryeqytetit.
“Forcat e mbrojtjes ajrore po veprojnë në kryeqytet. Kërcënimi vazhdon, andaj banorëve u bëhet thirrje të qëndrojnë në strehimore derisa të jepet zyrtarisht sinjali se rreziku ka kaluar”, thanë autoritetet e Kievit në orët e para të mëngjesit të 20 gushtit.
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me raketa ndaj Ukrainës, ndërsa vendi përballet me mungesa të mëdha të sistemeve të mbrojtjes ajrore të afta për të rrëzuar raketat balistike me shpejtësi të lartë.
Gjatë javëve të fundit, presidenti ukrainas ,Volodymyr Zelensky, ka bërë vazhdimisht thirrje ndaj aleatëve perëndimorë që të ofrojnë ndihmë shtesë ushtarake dhe i ka kërkuar Uashingtonit të përmbushë zotimin për t’i dhënë Ukrainës licencat për prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot. REL