Në Shqipëri, ende pesë vatra aktive të zjarrit

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat pesë vijojnë aktive dhe tri mbahen nën kontroll, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes. Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 90 efektivë…

Lajme

20/08/2026 09:49

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat pesë vijojnë aktive dhe tri mbahen nën kontroll, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 90 efektivë dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Dajt, Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra e Priskës është nën kontroll.

Në Lufaj, Mirditë, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Tërbun–Gjegjan–Gojan, Pukë, situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit është evakuuar një familje, ndërsa ndërhyrja e forcave ka shmangur rrezikun për banesën. Sot operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë.

Në Gjorm të Sipërm, Malësi e Madhe, vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar, ku janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë të MZSH-së.

Në Tunjë të Re, Gramsh, strukturat vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë-Helmes vijon puna e forcave operacionale. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. /atsh