OSHP i gjen shkelje Komunës së Përparim Ramës, e paralajmëron zyrtarin e prokurimit

Ndërtimi i tribunës së stadiumit “Flamurtari” në Hajvali po zvarritet pas problemeve në procedurën e prokurimit. OSHP konstatoi se Komuna e Prishtinës nuk e kishte respektuar vendimin e saj dhe paralajmëroi se, nëse urdhri nuk zbatohet brenda pesë ditësh, do t’i kërkojë KRPP-së anulimin e licencës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit, shkruan Kujdestari.info. Komuna e…

Lajme

19/08/2026 22:21

Ndërtimi i tribunës së stadiumit “Flamurtari” në Hajvali po zvarritet pas problemeve në procedurën e prokurimit. OSHP konstatoi se Komuna e Prishtinës nuk e kishte respektuar vendimin e saj dhe paralajmëroi se, nëse urdhri nuk zbatohet brenda pesë ditësh, do t’i kërkojë KRPP-së anulimin e licencës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit, shkruan Kujdestari.info.

Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Përparim Rama, është përballur me një vendim të ashpër të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lidhur me tenderin për “Ndërtimin e tribunës Flamurtari”, me vlerë të parashikuar prej 142 mijë e 733 eurosh.

Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se Komuna e Prishtinës, përkatësisht zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i rivlerësimit, nuk e kishin respektuar në përpikëri një vendim paraprak të OSHP-së, duke vazhduar, sipas Panelit, me të njëjtin veprim edhe pas kthimit të tenderit në rivlerësim. (DOKUMENT)

“Paneli vlerëson se Autoriteti Kontraktues – ‘Komuna e Prishtinës’, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e kanë respektuar në përpikëri Vendimin e OSHP-së nr. 2026/0275 të datës 21.05.2026”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Sipas Panelit, Komuna, pasi e kishte kthyer lëndën në rivlerësim, nuk kishte vepruar sipas rekomandimeve të vendimit, por kishte vazhduar “duke e bërë të njëjtin veprim”.

OSHP-ja konstaton se me këtë veprim zyrtari përgjegjës i prokurimit kishte vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores për Prokurim Publik. Në vendim theksohet se mosrespektimi i vendimeve të OSHP-së konsiderohet shkelje e rëndë në prokurimin publik.

OSHP e aprovoi ankesën dhe anuloi vendimin e Komunës

Rasti kishte përfunduar përsëri në OSHP pas ankesës së kompanisë N.T.SH. “AR-DRITI”.

Më 14 gusht 2026, Paneli Shqyrtues e aprovoi si të bazuar ankesën e kësaj kompanie dhe anuloi njoftimin mbi vendimin e Komunës së Prishtinës, duke e kthyer aktivitetin e prokurimit përsëri në rivlerësim.

OSHP-ja njëkohësisht e obligoi Komunën e Prishtinës që ta zbatonte vendimin e mëparshëm nr. 2026/0275 të 21 majit 2026.

Paneli shkoi edhe më tej, duke urdhëruar Komunën që brenda pesë ditësh ta njoftonte OSHP-në për zbatimin e vendimit.

Në rast të mosrespektimit të urdhrit, OSHP paralajmëroi se do të vepronte sipas nenit 131 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe se do t’i kërkonte Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik anulimin e licencës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit të Komunës së Prishtinës.

Tenderi përsëri te DachGroup dhe Papi.S Construction

Dokumentacioni tjetër i siguruar për këtë aktivitet të prokurimit tregon se për kontratë është rekomanduar Grupi i Operatorëve Ekonomikë DachGroup SH.P.K. dhe Papi.S Construction SH.P.K., me ofertë prej 123,456.78 euro me TVSH.

Në garë figurojnë pesë oferta:

  • DachGroup SH.P.K. & Papi.S Construction SH.P.K. – 123,456.78 euro;
  • Edona SH.P.K. – 123,322.50 euro;
  • Standard Beton SH.P.K. & Arifaj SH.P.K. – 101,111.11 euro;
  • N.T.SH. “AR-DRITI” – 129,955 euro;
  • AGE Group SH.P.K. – 135,060 euro.

Dokumenti i Komunës thotë se pas rivlerësimit kontrata i është dhënë grupit DachGroup SH.P.K. & Papi.S Construction SH.P.K., me çmimin 123,456.78 euro me TVSH.

Pikërisht ky grup operatorësh ishte rekomanduar për kontratë edhe më herët nga Komuna. Dokumentet e OSHP-së tregojnë se më 23 qershor Komuna kishte publikuar njoftimin ku për kontratë rekomandohej DachGroup dhe Papi.S Construction, vendim ndaj të cilit “AR-DRITI” kishte vazhduar procedurat ankimore.

OSHP: Vendimet tona janë të detyrueshme

Në arsyetimin e vendimit, Paneli Shqyrtues është kategorik se vendimet e OSHP-së janë të detyrueshme për autoritetet kontraktuese dhe për të gjitha palët në procedurë.

Paneli ka mbështetur shpjegimet dhe rekomandimin e ekspertit shqyrtues për kthimin e tenderit në rivlerësim, ndërsa ka konstatuar se Komuna, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i rivlerësimit nuk kishin respektuar në përpikëri vendimin paraprak të OSHP-së.

Kështu, tenderi për tribunën e Flamurtarit është shoqëruar me ankesa, anulim të vendimit të Komunës dhe urdhra të përsëritur për rivlerësim, ndërsa OSHP-ja ka paralajmëruar deri edhe kërkesë për anulimin e licencës së zyrtarit përgjegjës nëse vendimi i saj nuk zbatohet.