Rritja e çmimit të naftës, Mulaj: Qeveria Kurti nuk e ka fokusin tek sfidat ekonomike

Ekonomisti Ismet Mulaj ka komentuar luhatjet e çmimit të naftës në Kosovë, duke folur për arsyet e ndryshimeve të çmimeve dhe masat që, sipas tij, institucionet mund të ndërmarrin për t’i mbajtur ato nën kontroll. Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Mulaj ka përmendur dy alternativa që, sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka në dispozicion…

Lajme

19/08/2026 19:56

Ekonomisti Ismet Mulaj ka komentuar luhatjet e çmimit të naftës në Kosovë, duke folur për arsyet e ndryshimeve të çmimeve dhe masat që, sipas tij, institucionet mund të ndërmarrin për t’i mbajtur ato nën kontroll.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Mulaj ka përmendur dy alternativa që, sipas tij, Qeveria e Kosovës i ka në dispozicion për menaxhimin e çmimeve të derivateve.

“Përderisa Kosova nuk është vendburim i naftës dhe përderisa nuk ka rafineri që e përpunon naftën, Qeveria e Kosovës ka pasur në dorën e saj dy instrumente sipas legjislacionit të Kosovës: vënien e çmimit tavan, atë që sot po e praktikon, si dhe ndoshta heqjen e akcizës apo zvogëlimin e TVSH-së, që disa shtete evropiane e kanë ndërmarrë si iniciativë dhe në disa raste u ka rezultuar me sukses”, ka deklaruar Mulaj.

I pyetur nëse institucionet e Kosovës po marrin masa të mjaftueshme dhe se çfarë veprimesh të tjera do të duhej të ndërmerreshin, Mulaj ka kritikuar Qeverinë në detyrë për mungesën e debateve me ekspertë dhe përfaqësues të bizneseve.

“Nuk ka pasur debate të këtij lloji me shoqërinë civile, me ekspertë të ndryshëm apo asociacionet e biznesit që të gjejmë alternativa sa më të mira që do të ndikonin në mbajtjen nën kontroll të çmimeve të derivateve të naftës”, ka thënë ai.

Sipas Mulajt, rritja e çmimeve dhe problemet ekonomike nuk janë në fokusin e mjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka thënë se institucionet mund të ndërmarrin masa që do të ndikonin drejtpërdrejt në uljen e kostos së jetesës.

“Qeveria mund të ndërmarrë edhe vendime të caktuara, për shembull për bizneset dhe transportin, që e rrisin koston e jetesës në Kosovë dhe në një mënyrë ndikojnë direkt edhe në rritjen e çmimeve. Qeveria mund ta heqë akcizën për derivatet e naftës ose ta ulë TVSH-në”, është shprehur Mulaj.

Ai ka vlerësuar se mungesa e debatit për çështjet ekonomike tregon, sipas tij, se fokusi i Qeverisë është më shumë te zhvillimet politike sesa te problemet me të cilat përballen bizneset dhe qytetarët.

Mulaj ka paralajmëruar gjithashtu për pasoja të mundshme ekonomike në rast të vazhdimit të krizës politike, duke theksuar rrezikun e humbjes së fondeve nga Bashkimi Evropian, uljes së investimeve dhe largimit të investitorëve.

“Përderisa kemi krizë politike, ka më pak investime, ka ambient të të bërit biznes jo të favorshëm dhe do të ketë ikje të investitorëve”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, çmimi i litrit të naftës në Kosovë po vazhdon të rritet sërish ditëve të fundit.

Për ditën e mërkurë, siç e ka përcaktuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit çmimi i naftës do të jetë 1.77 euro për litër./teve1.info/