Identifikohen mbetje kockore të 23 individëve në Zubin Potok, Prokuroria Speciale po heton tre të dyshuar që ndodhen në paraburgim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar se në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës. Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet…

Lajme

19/08/2026 16:34

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Insitutin e Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar se në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, në lokacionet e dyshuara, të mërkurën është konfirmuar nga mjeko-ligjorët edhe gjetja e radhës.

Gjatë këtyre veprimeve, bazuar në vlerësimin preliminar, ekipet e Insitutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikaur mbetje kockore, të cilat dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.

Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore dhe procedurale që lidhen me këtë rast. Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.

PSRK, Policia e Kosovës dhe IML-ja kanë shprehur përkushtimin e tyre për një proces profesional, të paanshëm dhe të dokumentuar, me respekt të plotë për dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur, dhe çdo zhvillim i ri do të mund të bëhet publik në përputhje me kërkesat ligjore dhe interesin e hetimit. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: