Bllokat bien nga kamioni në rrugën Zhur–Dragash, gjobitet shoferi me 300 euro

Një kamion që po transportonte blloka ndërtimorë ka shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion, pasi disa prej tyre kanë rënë në rrugën Zhur–Dragash, në zonën e njohur si “Laku i Keq”. Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 11:00, kur patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren ka pranuar informacionin…

Lajme

19/08/2026 15:47

Një kamion që po transportonte blloka ndërtimorë ka shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion, pasi disa prej tyre kanë rënë në rrugën Zhur–Dragash, në zonën e njohur si “Laku i Keq”.

Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 11:00, kur patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren ka pranuar informacionin se nga një mjet transportues kishin rënë në rrugë disa blloka ndërtimorë, duke penguar dhe rrezikuar qarkullimin e automjeteve.

Policia ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar gjendjen faktike. Sipas njoftimit, ngasësi i kamionit kishte vazhduar lëvizjen pa u ndalur.

Në bashkëpunim me patrullën policore të Stacionit Policor në Dragash, policia ka arritur ta ndalojë mjetin transportues, një kamion me tabela vendore, në pronësi të një kompanie nga Prizreni.

Për këtë rast, policia i ka shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje drejtuesit të mjetit dhe personit juridik, përkatësisht kompanisë, në bazë të Ligjit të Trafikut 08/L-186.

Ndërkohë, kompania e autorizuar ka bërë menjëherë largimin e bllokave nga rruga, duke mundësuar normalizimin e qarkullimit të automjeteve.