Kadriaj: Gjuajtja me vezë ishte spontane, s’ka pas skenar tjetër -VV po tenton të manipuloj
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, e cila në një prej seancave të thirrura në Kuvend të Kosovës e gjuajti me vezë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se pas saj nuk kishte asnjë skenar tjetër atë ditë. Ajo deklaroi se aksioni ka qenë spontan dhe se s’ka pasur asnjë plan tjetër. Sipas saj, arsyetimi i…
Lajme
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, e cila në një prej seancave të thirrura në Kuvend të Kosovës e gjuajti me vezë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se pas saj nuk kishte asnjë skenar tjetër atë ditë.
Ajo deklaroi se aksioni ka qenë spontan dhe se s’ka pasur asnjë plan tjetër.
Sipas saj, arsyetimi i kryesuesit Avni Dehari se nuk po e thërret seancën e mund të ketë përplasje është thjesht manipulim,.
“Aksioni im ka qenë krejt spontan, nëse atë ditë kish ndodhë konstituimi i kuvendit s’ka pas gjuajti me vezë e s’ka pas as skenar tjetër.Kam marrë një aksion simbolik kushtin që ky njeri të respektojë Kushtetutën e Kosovës. S’ka pas skenar tjetër dhe është manipulim e po e shfrytëzojnë këtë manipulim për mos-thirrje të seancës.”, transmeton lajmi.net.
Ndryshe ditë më parë, kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, ka kërkuar nga partitë politike që të ulen në dialog dhe të arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e situatës institucionale.
Dehari në një postim në Facebook thekson se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund të çojë drejt përplasjeve të reja, madje edhe fizike si dhe në zgjedhje të parakohshme, e që siç tha ai duhet të evitohen.
Deklarimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit.
Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ.
Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.
Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual.
Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë.
Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme./Lajmi.net/