U dogj nga zjarri në një hotel në Vlorë, 25-vjeçarja dërgohet për trajtim në Turqi

Pacientja 25-vjeçare që pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin ku po qëndronte për pushime në Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Turqi. Si pasojë e ngjarjes, gjashtë pushues u lënduan, pesë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një shtetas nga Rrësheni. Zëvendëskryeministrja…

Lajme

18/08/2026 21:37

Pacientja 25-vjeçare që pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin ku po qëndronte për pushime në Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Turqi.

Si pasojë e ngjarjes, gjashtë pushues u lënduan, pesë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një shtetas nga Rrësheni.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot se që në momentet e para, rasti është ndjekur me vëmendje të plotë dhe qeveria është angazhuar për t’i garantuar çdo ndihmë dhe kujdes mjekësor të nevojshëm.

“Pas zjarrit të rëndë në hotelin në ‘Lungomare’ në Vlorë, Ana vetëm 25 vjeçe, po përballet me një nga betejat më të vështira të jetës së saj. Ajo ka pësuar djegie në rreth 85% të trupit dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore”, u shpreh Koçiu përmes një videomesazhi, shkruan ATSH.

Pas marrjes së ndihmës së parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Koçiu informoi se mjekët rekomanduan vijimin e trajtimit në një qendër të specializuar jashtë vendit.

“Përballë kësaj situate kritike kemi ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur transferimin e saj. Falë edhe bashkëpunimit me autoritetet turke kemi koordinuar transferimin e Anës drejt Turqisë, ku do të vijojë trajtimin dhe do të marrë kujdesin e specializuar që kërkon gjendja e saj shëndetësore”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.

Në këto momente, ajo informoi se “Ana po transportohet drejt Rinasit nën kujdesin e ekipeve mjekësore për t’u nisur më pas drejt Turqisë”.

“Qeveria shqiptare do të vijojë të jetë pranë Anës dhe familjes së saj, duke bërë gjithçka është e mundur që ajo të marrë kujdesin më të mirë, trajtimin më të specializuar dhe çdo mundësi për ta fituar këtë betejë”, tha Koçiu.

Zv.kryeministrja deklaroi se “të gjitha shpenzimet për trajtimin në Turqi do të mbulohen nga Qeveria Shqiptare”.

“Në këtë betejë, Ana nuk është vetëm. Do të vijojmë të jemi pranë Anës dhe familjes së saj, duke bërë gjithçka të mundur që ajo të marrë kujdesin dhe trajtimin më të mirë.

Forca Ana. Urojmë shërim të shpejtë edhe për dy pacientët e tjerë që ndodhen në QSUT dhe po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.

Zjarri ra të dielen rreth orës 04:05 në ambientet e brendshme të hotelit, në lagjen “10 Korriku”. Flakët dyshohet se nisën në ambientet e restorantit dhe u përhapën në godinë, duke detyruar pushuesit të kërkonin rrugëdalje nga hoteli.