Tahiri viziton Thaçin dhe të tjerët në Hagë: I thashë shihemi më 16 shtator, kthehemi bashkë në Prishtinë

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se sot ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit. Përmes një postimi, Tahiri ka thënë se kjo ishte njëra nga vizitat e shumta që ka bërë gjatë gjashtë viteve të fundit,…

Lajme

18/08/2026 20:23

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se sot ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit.

Përmes një postimi, Tahiri ka thënë se kjo ishte njëra nga vizitat e shumta që ka bërë gjatë gjashtë viteve të fundit, por sipas tij, vizita e sotme ishte ndryshe.

“Për gjashtë vite, ata kanë qëndruar pas atyre mureve, larg familjeve dhe vendit të tyre, ndërsa ne, jashtë tyre, kemi vazhduar të besojmë se drejtësia dhe e vërteta do të triumfojnë”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka theksuar se personat që po mbahen në Hagë, sipas tij, “janë njerëz që dhanë shumë për lirinë që ne e gëzojmë sot”.

Tahiri ka përmendur edhe datën 16 shtator, kur pritet të përfundojë procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Tash na ndajnë edhe pak javë nga 16 shtatori, data kur pritet të marrë fund ky proces i gjatë, i stërzgjatur dhe i padrejtë”, ka shkruar ai.

Në fund, Tahiri ka treguar edhe fjalët që ia ka thënë Thaçit gjatë ndarjes.

“Sot, kur u ndamë me Presidentin, nuk i thashë ‘mirupafshim’. I thashë: ‘Shihemi më 16 shtator. Kthehemi bashkë në Prishtinë’”, ka shkruar Tahiri.