Lëshohen rreth 1,679 diploma për aftësim profesional pa trajnime, përfitimi dyshohet 500 mijë euro – arrestohet pronari i qendrës në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se bashkë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pas informatave të pranuara në Prokurori nga një OJQ vendore dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka arrestuar personin me inicialet I.Ç., nën…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se bashkë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pas informatave të pranuara në Prokurori nga një OJQ vendore dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka arrestuar personin me inicialet I.Ç., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1, dhe “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve të ngritura në kuadër të hetimeve të deritanishme, i pandehuri I.Ç, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma të aftësimit profesional për profesione të ndryshme, pa u zhvilluar trajnimet përkatëse teorike dhe praktike, ndonëse në diploma është paraqitur se këto trajnime janë përfunduar me sukses.
Sipas të dhënave të siguruara gjatë hetimit, këto diploma dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë vendit, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.
Nga veprimet hetimore rezulton dyshimi se, nga viti 2019 e deri më tani, janë lëshuar rreth 1,679 diploma për profesione të ndryshme, ndërsa pagesa për një diplomë dyshohet të ketë qenë rreth 300 euro, ndërsa përfitimi nga kjo veprimtari e kundërligjshme dyshohet te jetë rreth pesëqind mijë (500,000.00) euro
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra, është siguruar urdhër kontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, i cili është zbatuar në bashkëpunim me inspektorët tatimorë. Gjatë kontrollit janë siguruar dëshmi që, sipas dyshimeve të hetimit, tregojnë se subjekti në fjalë nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësi të provave:
- 333 diploma profesionale, të vulosura dhe të pavulosura, me emrat e kandidatëve;
- dy pajisje kompjuterike, në të cilat ishte i instaluar programi për regjistrimin e diplomave;
- dy USB me të dhëna;
- tri vula të biznesit;
- një telefon mobil i të dyshuarit;
- 11 fleta me shënime lidhur me borxhet dhe pagesat;
- 630 euro para të gatshme; dhe
- nëntë kartëvizita të biznesit.
I dyshuari gjendet në ndalim prej 48 orësh, ndërsa, brenda afatit ligjor, Prokuroria do të vlerësojë paraqitjen e kërkesës për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës ftojnë çdo qytetar që dyshon se është mashtruar apo dëmtuar lidhur me pajisjen me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga subjekti në fjalë, që të paraqitet dhe ta raportojë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor. Çdo informacion i ofruar do të trajtohet në pajtim me procedurat ligjore dhe do të kontribuojë në zbardhjen e plotë të rastit.