Tahiri kundërshton kontratën e KEK-ut për shitjen e qymyrit në Maqedoni të Veriut: Kërkojmë transparencë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar kontratë për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa për këtë marrëveshje ka reaguar deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, duke ngritur shqetësime për ligjshmërinë dhe transparencën e saj. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se përgjatë tri viteve, KEK-u pritet të eksportojë…
Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar kontratë për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa për këtë marrëveshje ka reaguar deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, duke ngritur shqetësime për ligjshmërinë dhe transparencën e saj.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se përgjatë tri viteve, KEK-u pritet të eksportojë deri në 73.2 milionë euro qymyr në Maqedoninë e Veriut.
Tahiri ka deklaruar se marrëveshja duhet të bëhet publike, duke e cilësuar atë si të dyshimtë për nga mënyra e zhvillimit dhe kompetencat institucionale.
“Çdo marrëveshje ndërshtetërore jo transparente, përfshirë edhe atë të KEK-ut për shitjen e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut, në rastin më të butë përbën shkelje të ligjit dhe tejkalim të kompetencave, veçanërisht në një kohë kur kjo Qeveri është në përplasje të hapur me Kushtetutën”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, në rastin më të rëndë, marrëveshja mund të përbëjë “abuzim me pasuritë e Republikës së Kosovës”.
“Pasuri për të cilat është derdhur gjak, djersë dhe sakrificë ndër breza”, ka shkruar ai.
Tahiri i ka bërë thirrje Ministrisë përgjegjëse që ta publikojë marrëveshjen dhe të gjitha dokumentet që lidhen me të.
“Transparenca nuk është luks dhe zgjedhje politike, por detyrim ligjor e institucional!”, ka theksuar ai. /Lajmi.net/