Ndërhyrje e rrallë në QKUK, hiqet tumor 27 centimetra nga kraharori i 23-vjeçarit
Një tumor gjigant, me peshë rreth 3.5 kilogramë dhe përmasa prej afërsisht 27 centimetra në gjatësi e 17 centimetra në gjerësi, është hequr me sukses nga kaviteti torakal i një pacienti 23-vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së. Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), bëhet fjalë për një ndërhyrje…
Lajme
Një tumor gjigant, me peshë rreth 3.5 kilogramë dhe përmasa prej afërsisht 27 centimetra në gjatësi e 17 centimetra në gjerësi, është hequr me sukses nga kaviteti torakal i një pacienti 23-vjeçar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së.
Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), bëhet fjalë për një ndërhyrje të rrallë dhe jashtëzakonisht komplekse, e cila ka paraqitur sfidë të veçantë për ekipin kirurgjik për shkak të përmasave të tumorit, lokalizimit dhe kompleksitetit të operacionit.
Ndërhyrja është realizuar nga ekipi i specializuar i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, nën udhëheqjen e drejtorit të klinikës, Dr. Nazmi Kolgeci.
Në operacion ka marrë pjesë edhe ekipi i anestezionit, i udhëhequr nga anesteziologu Dr. Qendrim Morina, së bashku me instrumentarë dhe infermierë.
SHSKUK e ka cilësuar ndërhyrjen si një dëshmi të kapaciteteve profesionale të stafit shëndetësor dhe të bashkëpunimit multidisiplinar në trajtimin e rasteve të ndërlikuara kirurgjikale.
“Ky sukses i radhës dëshmon edhe një herë përkushtimin e lartë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer multidisiplinar të stafit të QKUK-së në trajtimin e suksesshëm të rasteve më të rënda dhe më komplekse kirurgjikale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Nga ky institucion kanë theksuar se puna ekipore, profesionalizmi dhe përkushtimi maksimal ndaj pacientit mbeten ndër shtyllat kryesore të suksesit në trajtimin e rasteve të tilla.
Ndërhyrja është përfunduar me sukses, ndërsa SHSKUK nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të 23-vjeçarit pas operacionit. /Lajmi.net/