“Do të konstituohet Kuvendi, do të zgjidhet Qeveria” – Zulfaj aludon se PDK-ja s’do të marrë pjesë për Presidentin

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj thirrjeve të PDK-së për vazhdimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit. Zulfaj ka publikuar një fotografi nga seancat e Kuvendit, duke iu referuar situatës së krijuar më 5 mars dhe 28 prill të këtij viti, kur, sipas tij, në Kuvend kishte marrë pjesë vetëm…

Lajme

18/08/2026 11:49

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj thirrjeve të PDK-së për vazhdimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit.

Zulfaj ka publikuar një fotografi nga seancat e Kuvendit, duke iu referuar situatës së krijuar më 5 mars dhe 28 prill të këtij viti, kur, sipas tij, në Kuvend kishte marrë pjesë vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo ishte pamja më 5 mars dhe më 28 prill të këtij viti në Kuvend. PDK-ja po qëndron para derës së Kryeministrit, për të mos qëndruar në Kuvend”, ka shkruar Zulfaj.

Ai ka pretenduar se kërkesa e PDK-së për të shkuar sa më shpejt në Kuvend nënkupton, sipas tij, bojkotimin e këtij institucioni.

“Kërkesa e tyre për të shkuar sa më parë në Kuvend është kërkesë për të bojkotuar Kuvendin, siç kanë bërë që nga viti i kaluar”, ka deklaruar Zulfaj.

Zulfaj ka thënë se pas përfundimit të konsultimeve për Presidentin, sipas tij, do të vijojë konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë.

“Por, ja që do të shterohet edhe koha e konsultimeve për Presidentin dhe do të konstituohet Kuvendi, do të zgjidhet Qeveria dhe do t’i vijë radha zgjedhjes së Presidentit, pikërisht në Kuvend”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Zulfaj nuk ka sqaruar se cilit afat për konsultimet për Presidentin i është referuar, pasi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar më 7 gusht në mesnatë. /Lajmi.net/