Çfarë rëndon ndaj Vezir Hazirajt? Gjykata ia cakton një muaj paraburgim dhe konfirmon tri vepra
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Vezir Hazirajt, i cili dyshohet për tri vepra penale. Vendimi është marrë më 16 gusht 2026, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, shkruan lajmi.net. Në përgjigjen për lajmi.net, Gjykata Themelore në Pejë ka…
Lajme
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Vezir Hazirajt, i cili dyshohet për tri vepra penale.
Vendimi është marrë më 16 gusht 2026, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, shkruan lajmi.net.
Në përgjigjen për lajmi.net, Gjykata Themelore në Pejë ka konfirmuar se ndaj Hazirajt është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, me Aktvendimin DKR.PP.nr.135/26, të datës 16.08.2026, ka caktuar ndaj të pandehurit V.H. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, Haziraj dyshohet për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosje”.
“I pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Vrasje e mbetur në tentativë’, nga neni 172, lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga neni 366, paragrafi 1, si dhe ‘Kanosje’, nga neni 181, paragrafët 2 dhe 3, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Haziraj ishte arrestuar të shtunën, ndërsa pas kërkesës së Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur për caktimin e paraburgimit.
Ndërkohë, rasti i fundit nuk është i vetmi që është raportuar lidhur me përballjen e Hazirajt me organet e drejtësisë.
Sipas të dhënave nga dosja e siguruar nga Klan Kosova, ndaj tij janë ngritur ndër vite 12 aktakuza për vepra të ndryshme penale.
Në mesin e rasteve të përmendura në dosje është edhe një rast i vitit 2018, për të cilin, sipas këtyre të dhënave, Haziraj ishte dënuar me gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim për tentim-vrasje të rëndë ndaj një 17-vjeçareje.
Sipas dosjes, ai ishte dënuar edhe me katër muaj burgim për arratisje, ndërsa gjatë vuajtjes së dënimit ishte përballur me një tjetër procedurë penale, për të cilën ishte dënuar me katër muaj burgim.
Aktakuzat e tjera të përmendura në dosje lidhen kryesisht me raste të vjedhjeve të lehta dhe të rënda.
Po sipas të dhënave të dosjes, disa prej rasteve të ngritura ndaj tij që nga viti 2016 ende nuk janë gjykuar.
Për rastin aktual, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim, ndërsa Vezir Haziraj mbetet i pandehur dhe për përgjegjësinë e tij penale do të vendoset në procedurën gjyqësore. /Lajmi.net/
Vazhdim…