Prokuroria ngre aktakuzë për vrasje të rëndë në Mitrovicë, i pandehuri akuzohet se vrau me thikë viktimën në banesë
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me inicialet A.S., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me inicialet A.S., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës E.I, shkruan lajmi.net.
Prokuroria pretendon se i pandehuri A.S. e ka privuar nga jeta viktimën në mënyrë tinëzake dhe mizore.
Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte shkuar në banesën e viktimës, ku në atë moment ndodheshin edhe i dëmtuari S.I., dëshmitari I.M. dhe vajza e tij e mitur, gjashtëvjeçare.
Në momentin kur viktima i ka hapur derën, sipas Prokurorisë, i pandehuri i ka folur, e ka përqafuar dhe i ka uruar festën e Kurban Bajramit, për të hyrë më pas në kuzhinë.
“Papritmas nxjerr armën e ftohtë – thikën dhe e prenë viktimën në regjionin e përparmë të qafës – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës ende pa arritur të dërgohet në spital”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Pas këtij veprimi, sipas aktakuzës, i pandehuri i është drejtuar edhe të dëmtuarit S.I., duke tentuar ta godasë në fyt me thikë.
I dëmtuari ka arritur ta shmangë goditjen, ndërsa, sipas Prokurorisë, i pandehuri e ka goditur në fytyrë, përkatësisht në hundë dhe buzë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe t’i shqiptohet dënim meritor sipas ligjit. /Lajmi.net/