Haxhiu pyetet nëse frikësohet nga protestat e paralajmëruara: Nëse e kanë për Specialen, le të kërkojnë falje publike për të keqen e madhe që ia bënë vendit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është deklaruar para mediave pas takimit që pati me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa, Donika Gërvallën nga Guxo dhe përfaqësuesit e komuniteteve. Haxhiu është pyetur nëse frikësohet nga protestat e paralajmëruara për muajin shtator, ndërsa ka thënë se fillimisht duhet të…

Lajme

18/08/2026 10:31

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është deklaruar para mediave pas takimit që pati me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa, Donika Gërvallën nga Guxo dhe përfaqësuesit e komuniteteve.

Haxhiu është pyetur nëse frikësohet nga protestat e paralajmëruara për muajin shtator, ndërsa ka thënë se fillimisht duhet të bëhet e qartë arsyeja për të cilën organizohen ato.

“Nëse është për vendimin e Speciales, ne ende nuk e dimë se cili është vendimi i Speciales dhe unë ende uroj që Gjykata Speciale ta korrigjojë kërkesën e padrejtë të Prokurorisë Speciale. Nëse e kanë për këtë arsye, atëherë unë mund t’ua kujtoj se unë nuk e kam votuar Gjykatën Speciale dhe as Vetëvendosje që sot e akuzojnë. Prandaj është mirë të kërkojnë falje publike për këtë dëm të madh që ia kanë shkaktuar vendit”, deklaroi Haxhiu.

Ajo ka thënë se gjatë mandatit të kaluar qeverisës është angazhuar për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë dhe adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës.

“Unë kam kërkuar fuqizim të institucioneve të drejtësisë dhe pikërisht këtë e kemi bërë në mandatin e kaluar qeverisës. Kur ne kemi qenë në qeverisje kemi filluar me adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës dhe besoj që pajtoheni me mua se ka një seriozitet në adresimin e krimeve të luftës në Polici dhe në Prokurori Speciale”, tha ajo.

Haxhiu ka kritikuar ata që, sipas saj, kanë zgjedhur një rrugë të gabuar, duke thënë se për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi.

“Por ata kanë zgjedhur një rrugë të gabuar dhe për të cilën duhet të mbahen përgjegjës. Këtë e them pa asnjë hezitim, kudo dhe kurdo”, u shpreh Haxhiu. /Lajmi.net/