“Mos e mbani peng shtetin për kalkulime politike” – Çitaku kërkon që deputetët të kthehen në Kuvend dhe ta konstituojnë institucionin

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar sërish lidhur me situatën institucionale në vend, duke i bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit. Përmes një postimi, Çitaku ka kritikuar LVV-në, të cilën e ka akuzuar për papërgjegjshmëri dhe për përdorimin e institucioneve për interesa politike. “Fotografia e një partie…

Lajme

18/08/2026 09:55

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar sërish lidhur me situatën institucionale në vend, duke i bërë thirrje deputetëve që të marrin pjesë në seancën e Kuvendit.

Përmes një postimi, Çitaku ka kritikuar LVV-në, të cilën e ka akuzuar për papërgjegjshmëri dhe për përdorimin e institucioneve për interesa politike.

“Fotografia e një partie politike të papërgjegjshme, nën dirigjimin e një individi, që i ka kapur institucionet, po e mban shtetin peng dhe po e përdor pushtetin për interesa politike, në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se vendi i deputetëve është në Kuvend, duke kërkuar që aty të materializohet vullneti i qytetarëve dhe të konstituohet institucioni.

“Vendin e keni në Kuvend, aty ku duhet ta materializoni vullnetin e qytetarëve dhe ta konstituoni Kuvendin. Ju presim sot, në orën 11:00, në Kuvend!”, ka deklaruar Çitaku. /Lajmi.net/