Të rinjtë thirrje Kurtit para Qeverisë: Mos ua merrni të rinjve shpresën se e ardhmja mund të ndërtohet në Kosovë

Të rinjtë e Rinisë Demokratike të Kosovës i janë bashkuar sot protestës dhe thirrjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe rikthimin e rendit kushtetues. I riu nga Hani i Elezit, Resul Suma, në deklarimin e tij para Qeverisë së Kosovës, tha se të…

Lajme

18/08/2026 08:56

Të rinjtë e Rinisë Demokratike të Kosovës i janë bashkuar sot protestës dhe thirrjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe rikthimin e rendit kushtetues.

I riu nga Hani i Elezit, Resul Suma, në deklarimin e tij para Qeverisë së Kosovës, tha se të rinjtë nuk mund të qëndrojnë indiferentë përballë një situate në të cilën institucionet mbahen të bllokuara dhe interesat politike vendosen mbi interesin e shtetit.

“Sot, si i ri i këtij vendi, i jam bashkuar protestës para ndërtesës së Qeverisë, sepse nuk mund të qëndroj indiferent kur institucionet e vendit mbahen të bllokuara. Për ne të rinjtë, kjo bllokadë shtetërore ka pasoja reale në jetën dhe të ardhmen tonë”, deklaroi Suma.

Ai theksoi se mungesa e funksionimit të institucioneve po dëmton besimin e të rinjve në perspektivën e tyre në Kosovë.

“Kur institucionet nuk funksionojnë dhe kur interesi politik vendoset mbi interesin e shtetit, mesazhi që u dërgohet të rinjve është se këtu nuk ka siguri, stabilitet dhe perspektivë. Ne jemi brezi që duhet ta ndërtojë jetën në Kosovë, të punojë këtu, të krijojë familje këtu dhe ta zhvillojë këtë vend”, tha ai.

Sipas Sumës, çdo ditë e bllokimit institucional është edhe një goditje ndaj besimit të të rinjve se të ardhmen e tyre mund ta ndërtojnë në Kosovë.

“Çdo ditë e institucioneve të bllokuara është edhe një arsye më shumë që një i ri ta humbë besimin dhe ta shohë largimin nga Kosova si të vetmen perspektivë”, theksoi ai.

Suma ngriti po ashtu çështjen e raportit të qytetarëve me shtetin, duke kërkuar përgjegjësi dhe respekt për institucionet nga vetë udhëheqësit politikë.

“Nëse vetë Kryeministri nuk e respekton shtetin dhe institucionet e tij, si mund t’i kërkohet një të riu që ta respektojë këtë shtet, ta dojë atë dhe të punojë për të? Si mund t’i kërkohet një polici apo një ushtari që nesër ta rrezikojë jetën për Republikën, nëse vetë institucionet e Republikës përçmohen dhe nënshtrohen ndaj interesit të një individi apo partie?”, deklaroi Suma.

Ai tha se të rinjtë duan një Kosovë në të cilën institucionet funksionojnë dhe ku pushteti nuk mund të vendoset mbi interesin e shtetit dhe të qytetarëve.

“Nuk duam një Kosovë ku të rinjtë mendojnë vetëm se si të largohen. Duam një Kosovë ku institucionet funksionojnë dhe ku askush, pavarësisht sa pushtet ka, nuk mund ta mbajë shtetin peng për interesa politike”, tha ai.

Në fund, Suma i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Albin Kurtit që t’i japë fund bllokadës dhe të hapë rrugën për funksionimin e institucioneve.

“Mesazhi im është i thjeshtë: Albin Kurti, ndaleni bllokadën. Ejani në Kuvend, konstituojeni atë dhe hapjani rrugën funksionimit të institucioneve. Mos ua merrni të rinjve edhe shpresën se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Kosovë”, përfundoi Suma.