KEK zbulon detajet e kontratës me Maqedoninë e Veriut: Qymyri shitet për 73.2 milionë euro

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dhënë detaje lidhur me kontratën e nënshkruar me kompaninë maqedonase JSC ESM për shitjen e qymyrit, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas KEK-ut, vlera e përgjithshme e kontratës trevjeçare, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në…

Lajme

17/08/2026 20:43

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dhënë detaje lidhur me kontratën e nënshkruar me kompaninë maqedonase JSC ESM për shitjen e qymyrit, duke e cilësuar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas KEK-ut, vlera e përgjithshme e kontratës trevjeçare, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro.

Çmimi i përcaktuar në kontratë është 24.4 euro për ton, pa TVSH, dhe sipas KEK-ut, ky çmim do të mbetet i pandryshuar për 36 muaj.

Korporata thotë se marrëveshja i siguron të hyra të qëndrueshme, mundësi për planifikim më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzim më efikas të kapaciteteve minerare.

Një nga pikat kryesore të kontratës, sipas KEK-ut, është se blerësi, JSC ESM, do të bartë të gjitha shpenzimet dhe përgjegjësitë për eskavimin, transportin dhe operacionet logjistike të tërheqjes së qymyrit. KEK-u, ndërkaq, do t’i inkasojë mjetet për sasinë e qymyrit të tërhequr.

KEK-u ka theksuar se marrëveshja vjen në një periudhë kur Korporata po realizon investime të mëdha në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike.

Të hyrat nga shitja e qymyrit, sipas KEK-ut, do të përdoren për mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë do të investohet në modernizimin e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, me synim rritjen e kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë në operacionet minerare.

KEK-u e ka cilësuar kontratën si një marrëveshje të bazuar në interesin reciprok dhe stabilitetin afatgjatë të sektorëve energjetikë të të dyja vendeve. /Lajmi.net/