Hoti: T’i mbajmë përgjegjës ata që s’i zbatojnë vendimet e Kushtetueses

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vënë nënshkrimin e tij në nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për ndryshimin e Kodit Penal. Ky peticion ka qëllim që vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimi i parasë publike gjatë periudhës së fushatës dhe parafushatës zgjedhore të përcaktohen si vepra penale. Deputeti i LDK-së, e ka përgëzuar…

Lajme

17/08/2026 11:56

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vënë nënshkrimin e tij në nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për ndryshimin e Kodit Penal.

Ky peticion ka qëllim që vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimi i parasë publike gjatë periudhës së fushatës dhe parafushatës zgjedhore të përcaktohen si vepra penale.

Deputeti i LDK-së, e ka përgëzuar IKD-në për këtë nismë, duke thënë se ndryshimi legjislativ mund të jetë i domosdoshëm në frymën e zhvillimeve të dy viteve të fundit.

Hoti ka thënë se në dy vitet e fundit, e veçanërisht ditët e fundit, është dalë jashtë këtij standardi.

“Ndërkohë që në dy vjetët e fundit dhe në veçanti tash ditët e fundit kemi dalë jashtë këtij standardi dhe është e domosdoshme që sipas ligjit t’i mbajmë përgjegjës personat që nuk i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë, Naim Jakaj nga IKD-ja ka thënë se peticioni po shkon mirë dhe se është mbështetur nga dhjetëra organizata të shoqërisë civile, odat ekonomike, njerëz dhe akterë kryesorë në Republikën e Kosovës, në mesin e tyre edhe deputetë të Kuvendit.

“Peticioni po shkon mirë, e kanë mbështetur me dhjetëra organizata të shoqërisë civile, të odave ekonomike, të njerëzve dhe mes aktorëve kryesorë në Republikën e Kosovës, në mes të tyre edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sot me ne nismën e ka përkrahur, sapo e ka përkrahur edhe ish-kryeministri, zotëri Hoti, deputeti i tanishëm i legjislaturës së11-të, të cilin e falënderojmë për këtë mbështetje”, ka thënë Jakaj.

Jakaj ka bërë të ditur se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë dhe në qytete të tjera.