Kuvendi sqaron mbylljen e sallës: Për datën 16 gusht nuk na është komunikuar zyrtarisht mbajtja e një seance

Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me përdorimin e sallës së seancave plenare, pas zhvillimeve të sotme dhe pretendimeve për mbylljen e saj për deputetët. Në një sqarim për opinionin publik, Administrata ka bërë të ditur se për datën 16 gusht nuk ka pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e…

Lajme

16/08/2026 13:22

Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me përdorimin e sallës së seancave plenare, pas zhvillimeve të sotme dhe pretendimeve për mbylljen e saj për deputetët.

Në një sqarim për opinionin publik, Administrata ka bërë të ditur se për datën 16 gusht nuk ka pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.

“Për datën 16 gusht 2026, Administratës së Kuvendit nuk i është komunikuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance. Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, thuhet në sqarim.

Administrata ka theksuar se mungesa e njoftimit nuk duhet të interpretohet si vendim politik apo si qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve.

“Mungesa e këtij njoftimi nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim të Administratës së Kuvendit lidhur me qëndrimet apo iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare”, thuhet më tej.

Sipas Administratës, ajo ushtron kompetencat në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke ofruar mbështetje të barabartë për të gjithë deputetët.

“Administrata ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe procedurat përkatëse, duke ofruar mbështetje profesionale dhe të barabartë për të gjithë deputetët”, thuhet në reagim.

Në fund, Administrata ka bërë të ditur se pas pranimit të komunikimit zyrtar për mbajtjen e një seance, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Me komunikimin zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata e Kuvendit do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në sqarim. /Lajmi.net/