Paralajmëroj përplasje fizike në Kuvend, PDK dhe AAK i reagojnë ashpër Deharit – kërkohet që ai të jap përgjegjësi para Prokurorisë për këtë deklaratë
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka kërkuar nga partitë politike që fillimisht të dakordohen për mënyrën e tejkalimit të krizës institucionale, para se të procedohet me vazhdimin e punimeve të Kuvendit. Dehari ka thënë se një marrëveshje politike do të ishte e nevojshme për të shmangur thellimin e krizës dhe…
Lajme
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka kërkuar nga partitë politike që fillimisht të dakordohen për mënyrën e tejkalimit të krizës institucionale, para se të procedohet me vazhdimin e punimeve të Kuvendit.
Dehari ka thënë se një marrëveshje politike do të ishte e nevojshme për të shmangur thellimin e krizës dhe mundësinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja, transmeton lajmi.net.
Ai ka shprehur mbështetje për takimet e propozuara nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, duke i ftuar subjektet politike që të diskutojnë së bashku për një zgjidhje.
“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka deklaruar Dehari.
Sipas tij, rifillimi i seancës në rrethanat aktuale, pa një dakordim mes partive, mund të sjellë tensionim të mëtejshëm të situatës në Kuvend dhe rrezik për përplasje mes deputetëve.
Këto qëndrime kanë hasur në kundërshtimin e opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar ndaj arsyetimit të Deharit për mos-thirrjen e seancës, duke e konsideruar të papranueshme që mundësia e një përplasjeje fizike të përdoret si argument për bllokimin e punës së Kuvendit.
Deliu ka kërkuar që Dehari ta thërrasë seancën dhe të veprojë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Sipas saj, mospajtimet politike duhet të trajtohen përmes debatit parlamentar dhe procesit të votimit.
Kritika ndaj Deharit ka pasur edhe nga Aleanca.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, ka kërkuar sqarime rreth paralajmërimeve për mundësi të përplasjeve në Kuvend, duke ngritur pyetjen se cilit skenar po i referohet kryesuesi.
Ramadani i ka cilësuar deklaratat e Deharit si “paralajmërime ogurzeza” dhe ka kërkuar që ai të japë përgjegjësi para Prokurorisë për pretendimet rreth mundësisë së konflikteve fizike.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit dhe vazhdimin e procesit institucional./lajmi.net/