Kriza politike thellohet: PDK kërkon seancë, Dehari marrëveshje – AAK i thotë “jo” ftesës së Haxhiut
Ngërçi politik në Kosovë po vazhdon, ndërsa partitë politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të tejkalohet bllokada institucionale. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë…
Lajme
Ngërçi politik në Kosovë po vazhdon, ndërsa partitë politike kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën se si duhet të tejkalohet bllokada institucionale.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës për të dielën, më 16 gusht.
Ismaili ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet dhe se institucionet duhet të funksionojnë brenda kornizës kushtetuese.
“Sot dua t’ju njoftoj se grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër më 16 gusht. Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasim seancën, ta propozojmë kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës. Por në njëjtën kohë, Kosova nuk mundet të mbetet peng i Albin Kurtit pafundësisht”, ka deklaruar sot Ismaili.
Në anën tjetër, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka mirëpritur ftesat për takime të bëra nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe në një formë duke refuzuar kërkesën e PDK-së.
Dehari ka kërkuar që partitë politike të ulen bashkë dhe të tentojnë të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar institucionale.
‘‘Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve. Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë’’, ka thënë ai mes tjerash në postimin e tij.
Ndërkohë, ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i është përgjigjur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
Gjini, në një letër drejtuar Haxhiut, ka shprehur kritika ndaj rolit të saj në përpjekjet për mbajtjen e takimit me partitë politike. Ai ka thënë se Haxhiu nuk ka mandat për të marrë rolin e unifikueses së spektrit politik.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik.”
Gjini ka akuzuar Haxhiun dhe Kurtin se, sipas tij, takimi nuk synon gjetjen e një zgjidhjeje, por përcaktimin e fajtorit për situatën dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të reja.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional.”
Kryetari i Aleancës ka pretenduar gjithashtu se qëllimi është zvarritja e situatës deri në një datë që, sipas tij, u përshtatet për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Qëllimi juaj ëshë më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet.”
Gjini ka thënë se Aleanca nuk do t’i japë, siç e ka quajtur ai, “alibi” një procesi të tillë, duke shtuar se nëse qëllimi është sigurimi i votave dhe kuorumit, ekzistojnë gjashtë pikat e propozuara nga AAK-ja.
“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi.
Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës.”, ka thënë ai./lajmi.net/