Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, dy të arrestuar në Durrës
Tre pistoleta dhe 34 fishekë, që dyshohet se u trafikuan nga Kosova për t’iu shitur grupeve kriminale në Shqipëri, janë sekuestruar gjatë operacionit policor “Hallkat” në Maminas të Durrësit, njofton Policia e Shtetit. Policia e Shtetit njoftoi se në flagrancë është arrestuar M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, i cili dyshohet se po i…
Lajme
Tre pistoleta dhe 34 fishekë, që dyshohet se u trafikuan nga Kosova për t’iu shitur grupeve kriminale në Shqipëri, janë sekuestruar gjatë operacionit policor “Hallkat” në Maminas të Durrësit, njofton Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit njoftoi se në flagrancë është arrestuar M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, i cili dyshohet se po i transportonte armët me automjet.
Në pranga ka përfunduar edhe pasagjerja D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, nën dyshimin për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

“Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ata lëviznin në Maminas, u gjetën tri armë zjarri, pistoleta, dhe 34 fishekë, që dyshohet se janë trafikuar nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit është gjetur edhe një armë e ftohtë, përkatësisht një dorezë hekuri. Autoritetet sekuestruan gjithashtu automjetin që dyshohet se është përdorur për transportimin e armëve.
M. B. dyshohet për “Trafikim të armëve dhe municionit” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.