Ganimete Musliu denoncon në IPK policin që thotë se e cenoi fizikisht në Kuvend
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ndaj një zyrtari policor, për të cilin pretendon se e ka cenuar fizikisht gjatë seancës plenare të së mërkurës. Musliu ka bërë të ditur se bashkë me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar që rasti…
Lajme
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ndaj një zyrtari policor, për të cilin pretendon se e ka cenuar fizikisht gjatë seancës plenare të së mërkurës.
Musliu ka bërë të ditur se bashkë me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar që rasti të hetohet, duke e lidhur këtë me nevojën për ruajtjen e profesionalizmit dhe pavarësisë së Policisë së Kosovës.
“Sot, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë, znj. Vlora Çitaku, denoncuam në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe kërkuam hetim për policin i cili më cenoi fizikisht në vendin tim të punës, saktësisht në sallën e seancës plenare. Duke qenë se si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vite rresht kam punuar fort për të pasur një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, nuk mund të hesht përballë një rasti të tillë.Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike”, shkroi ajo.
Përveç veprimit të policit, Musliu ka kërkuar sqarime edhe për mënyrën se si Policia është futur në sallën e Kuvendit dhe kush e ka autorizuar ndërhyrjen.
“Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare te Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare? Ky është një informacion që duhet ta dijë jo vetëm Kuvendi, por edhe opinioni publik.”
Ajo ka ngritur pyetjen nëse në rastin konkret Policia është ftuar nga Avni Dehari, të cilin e përmend si autoritetin që, sipas saj, mund ta ftojë Policinë gjatë një seance konstituive.
“Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale”, theksoi Musliu.
Në fund, deputetja e PDK-së ka kërkuar që hetimi të mos kufizohet vetëm te polici i përfshirë në incident, por të shqyrtohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë që ka çuar në ndërhyrjen e Policisë në sallën e Kuvendit.
“Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”, ka shkruar Musliu, duke u bërë thirrje zyrtarëve policorë dhe shërbyesve civilë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.