IQMT paralajmëron bizneset: Tërhiqni produktet e papërputhshme të qumështit ose përballuni me gjoba deri në 9 mijë euro

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka paralajmëruar prodhuesit, marketet dhe subjektet që tregtojnë produkte të qumështit që t’i tërheqin menjëherë nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme, bazuar në raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). IQMT ka bërë të ditur se nga sot do të intensifikojë kontrollet në bizneset që…

Lajme

14/08/2026 15:37

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka paralajmëruar prodhuesit, marketet dhe subjektet që tregtojnë produkte të qumështit që t’i tërheqin menjëherë nga tregu produktet e konstatuara si të papërputhshme, bazuar në raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

IQMT ka bërë të ditur se nga sot do të intensifikojë kontrollet në bizneset që tregtojnë këto produkte. Subjektet ku gjenden produkte të papërputhshme, të cilat nuk janë larguar nga tregu sipas kërkesës së inspektorëve, do të përballen me masa ndëshkuese, transmeton lajmi.net.

Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjobat për personat juridikë mund të variojnë nga 3 mijë deri në 9 mijë euro.

IQMT ka theksuar se moslargimi i produkteve me mospërputhje, përfshirë ato me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje ligjore dhe cenon të drejtat e konsumatorëve.

Postimi i plotë:
PARALAJMËRIM PUBLIK
Për të gjitha bizneset prodhuese, marketet dhe subjektet e tjera që tregtojnë produkte të qumështit.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) u bën thirrje të gjitha bizneseve prodhuese të produkteve të qumështit, marketeve dhe çdo subjekti tjetër që tregton produkte të qumështit, që menjëherë të tërheqin nga tregu të gjitha produktet e konstatuara si të papërputhshme, sipas raporteve zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nr. 4942, datë 27.07.2026, dhe nr. 5203, datë 10.08.2026.
IQMT, në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, përkatësisht nenin 9, paragrafët 5 dhe 6, nga dita e sotme do të intensifikojë kontrollet në të gjitha subjektet që tregtojnë këto produkte.
Çdo biznes në të cilin gjatë inspektimit do të konstatohet prania e produkteve të qumështit me mospërputhje, të cilat nuk janë tërhequr nga tregu sipas kërkesave të inspektorit, do t’i nënshtrohet masave ndëshkuese, në përputhje me nenin 14, paragrafi 1, pika 1.1 të Ligjit Nr. 08/L-279.
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Sipas nenit 14 të Ligjit Nr. 08/L-279:
“Me gjobë në shumë prej tre mijë (3.000) deri në nëntë mijë (9.000) euro dënohet personi juridik i cili:
1.1. nuk eliminon parregullsitë e konstatuara nga inspektori brenda afatit të përcaktuar në procesverbal dhe nuk vepron sipas kërkesës së inspektorit, në pajtim me nenin 9, paragrafin 5 të ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut”.
IQMT thekson se mos tërheqja nga tregu e produkteve të konstatuara me mospërputhje, përfshirë produktet me përmbajtje të padeklaruar, përbën shkelje të kërkesave ligjore dhe cenon interesat dhe të drejtat e konsumatorëve.
Për këtë arsye, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, (MINTI) përmes IQMT-së, do të intensifikojë edhe më shumë kontrollet në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të kërkesave ligjore.
IQMT i fton të gjitha bizneset që të veprojnë menjëherë dhe me përgjegjësi, duke i tërhequr nga tregu produktet e identifikuara me mospërputhje dhe duke respektuar të gjitha kërkesat e organeve kompetente.
Mbrojtja e konsumatorit dhe siguria e produkteve në treg janë përgjegjësi e përbashkët./lajmi.net/