Komuna e Prishtinës ka larguar sloganin “Free Ukraine” nga kryeqyteti, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin e saj ndaj Kosovës.
Veprimi ka nxitur reagime të shumta, ndërsa gazetari Michael Martens ka shkruar në platformën “X” se flamuri ukrainas nuk shihet më në Prishtinë.
“Jo më flamur ukrainas në Prishtinë. Disa shënime mbi pasojat që pati vizita e Presidentit ukrainas Zelenskyy në Beograd – jo në Serbi, por në Kosovë”, ka shkruar Martens.
Për largimin e simbolikës në mbështetje të Ukrainës ka reaguar edhe Michael Roth, ish-ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë dhe ish-kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut.
Roth tha se e kupton zhgënjimin në Kosovë për shkak të qëndrimit të Ukrainës ndaj shtetësisë së saj, por e konsideroi të gabuar largimin e flamurit ukrainas.
“E kuptoj zhgënjimin e Kosovës. Presidenti Zelensky ende nuk e njeh shtetësinë e saj dhe e thotë këtë gjatë vizitës në Serbi. Kjo dhemb, pa dyshim. Por ulja e flamurit ukrainas në Prishtinë ishte prapëseprapë e gabuar. Kjo minimizon luftën brutale të Rusisë dhe luftën e ukrainasve për liri”, ka shkruar Roth.