IQMT tërheq nga tregu shtatë produkte qumështi, paralajmërohen gjoba për operatorët

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në treg për produktet e qumështit me bazë bimore, pas masave të ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Gjatë inspektimeve të zhvilluara në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë, janë realizuar 12 kontrolle në markete të ndryshme. Si rezultat, nga shitja janë larguar shtatë…

Lajme

13/08/2026 17:54

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në treg për produktet e qumështit me bazë bimore, pas masave të ndërmarra nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Gjatë inspektimeve të zhvilluara në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë, janë realizuar 12 kontrolle në markete të ndryshme. Si rezultat, nga shitja janë larguar shtatë produkte të evidentuara si të ndaluara nga AUV, raporton lajmi.net

Produktet e tërhequra nga tregu janë:

Schmand, VITA 18%, 180 g;
Schmand, VITA 18%, 400 g;
Schmand, VITA 18%, 800 g;
Holla Cooking Cream, 1 L;
Holla Barista, 3.8%, 1 L;
Mazë tradicionale, DRENA, 1 kg;
Schmand i freskët, BYLMETI.

Sipas IQMT-së, produktet nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës, çështje për të cilën autoritetet kanë ndërmarrë masa për ndalimin dhe tërheqjen e tyre nga tregu.

Inspektorati ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të nisë shqiptimin e gjobave ndaj operatorëve ekonomikë që nuk i kanë tërhequr produktet e evidentuara si të papajtueshme me raportin e AUV-it.

Ndërkohë, IQMT ka shtuar bashkëpunimin me konsumatorët përmes platformës së komunikimit në Viber, ku qytetarët mund të raportojnë rastet kur hasin në treg produkte të ndaluara për shitje.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që t’i zbatojnë menjëherë urdhrat për tërheqjen e produkteve dhe të respektojnë vendimet e autoriteteve kompetente dhe legjislacionin në fuqi./Lajmi.net/