LDK kërkon konstituimin e Kuvendit, Lushaku-Sadriu: Nuk duam të shkojmë tek një përçarje qytetare dhe një konflikt

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se kjo parti është në një “udhëkryq për gjithë vendin” dhe në një sfidë kushtetuese, duke kërkuar që partia e parë ta thërrasë seancën konstituive dhe të mundësojë funksionalizimin e institucioneve. Ajo tha se LDK-ja ka qenë në Kuvend të mërkurën, por nuk ka dashur që…

Lajme

13/08/2026 13:59

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se kjo parti është në një “udhëkryq për gjithë vendin” dhe në një sfidë kushtetuese, duke kërkuar që partia e parë ta thërrasë seancën konstituive dhe të mundësojë funksionalizimin e institucioneve.

Ajo tha se LDK-ja ka qenë në Kuvend të mërkurën, por nuk ka dashur që situata të eskalojë.

“Është takimi i rregullt i grupit parlamentar sot. Për me i diskutuar zhvillimet politike edhe me i konfirmuar qëndrimet tona si parti. Jo, kemi qenë në kontakt, kemi qenë të vetëdijshëm edhe për aksionet, por tani jemi në një udhëkryq për gjithë vendin edhe në një sfidë kushtetuese për të cilën vërtet duhet me pasur qasje edhe të kujdesshme edhe për shkak të sentimentit edhe ndjeshmërisë që kanë qytetarët ndaj institucioneve të Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo përsëriti thirrjen që partia e parë ta thërrasë seancën dhe ta konstituojë Kuvendin.

“Edhe unë po vazhdoj me i bërë thirrje partisë së parë që ta thërrasë seancën edhe ta konstituojnë Kuvendin dhe të bëjnë veprimet që i takojnë e jo ta lënë gjithë vendin në bllokadë”, u shpreh ajo.

Lushaku-Sadriu tha se duhet të ketë përgjegjësi të lartë në këtë proces, duke paralajmëruar se situata nuk duhet të çojë në përçarje apo konflikt mes qytetarëve.

“Po, po, kemi qenë në Kuvend, por tani është si parti duhet me pasur edhe përgjegjësinë e lartë në kuptimin e thirrjes për me i bërë institucionet, por gjithmonë duke pasur parasysh edhe momentin, duke mos i dhënë kahje tjetër. Ne nuk duam që të shkojmë tek një përçarje qytetare dhe një konflikti”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse ka pasur ndonjë ftesë për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ajo tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë.

“Jo, nuk jam e vetëdijshme që ka pasur edhe me gjasë nuk ka”, tha Lushaku-Sadriu. /Lajmi.net/