Qyteti bregdetar Burgas i Bullgarisë, nikoqir i Eurovision 2027

Burgas do të jetë qyteti nikoqir i Eurovision Song Contest 2027, kanë bërë të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT). Edicioni i 71-të i Eurovisionit do të zhvillohet në Arena Burgas, ndërsa tre netët kryesore të konkursit janë caktuar për 11, 13 dhe 15 maj 2027. Ky do të jetë…

ShowBiz

13/08/2026 13:11

Burgas do të jetë qyteti nikoqir i Eurovision Song Contest 2027, kanë bërë të ditur Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT).

Edicioni i 71-të i Eurovisionit do të zhvillohet në Arena Burgas, ndërsa tre netët kryesore të konkursit janë caktuar për 11, 13 dhe 15 maj 2027.

Ky do të jetë Eurovisioni i parë që organizohet ndonjëherë në Bullgari. Festivali do të zhvillohet pas fitores së Bullgarisë në Eurovision 2026 në Vjenë, ku DARA triumfoi me këngën “Bangaranga”

Arena Burgas, e hapur në vitin 2023, do të mirëpresë tre spektaklet kryesore televizive, të cilat pritet të ndiqen nga miliona shikues në mbarë botën.

Burgas u përzgjodh mes katër qyteteve

Burgas u përzgjodh pas një procesi konkurrues ku morën pjesë katër qytete bullgare. Krahas Burgasit, oferta për organizimin e Eurovisionit u paraqitën edhe nga Sofia, Plovdiv dhe Varna.

Grupi ndërkombëtar i punës, i përbërë nga përfaqësues të BNT-së dhe EBU-së, ekspertë ndërkombëtarë të Eurovisionit dhe përfaqësues të qyteteve, vlerësoi kapacitetet e stadiumeve dhe hapësirave të propozuara, akomodimin, transportin, lidhjet ndërkombëtare dhe përgatitjet e autoriteteve lokale.

Sipas EBU-së, Burgas u përzgjodh për ofertën e tij të përgjithshme, duke kombinuar kapacitetet teknike të nevojshme për Eurovisionin me infrastrukturën, akomodimin, transportin dhe vizionin për ta shndërruar të gjithë qytetin në pjesë të përvojës së Eurovisionit.

Edhe qytetet e tjera që konkurruan do të përfshihen në programin shoqërues të Eurovision 2027.

Kryetari i Burgasit, Dimitar Nikolov, e cilësoi organizimin e Eurovisionit një nder të jashtëzakonshëm dhe tha se synimi është që përmes Burgasit, e gjithë Bullgaria të prezantohet para Evropës.

Eurovisioni, në një qytet bregdetar

Burgasi, qyteti i katërt më i madh në Bullgari, ndodhet në brigjet e Detit të Zi dhe njihet për plazhet, parqet, jetën kulturore dhe festivalet verore.

Gjatë javës së Eurovisionit do të organizohen aktivitete të ndryshme në qytet, përfshirë Eurovision Village dhe EuroClub, ndërsa programi i plotë kulturor dhe argëtues do të publikohet në muajt në vijim.

Martin Green, drejtor i Eurovision Song Contest, tha se Burgasi ka një identitet të fortë muzikor dhe kulturor, si dhe infrastrukturën dhe ambicien e nevojshme për të mirëpritur komunitetin e Eurovisionit.

“Për Eurovision Song Contest-in e parë që do të mbahet ndonjëherë në Bullgari, duam të krijojmë diçka që të ndihet vërtet bullgare, por njëkohësisht të jetë pa dyshim Eurovision – një festë që i bashkon njerëzit përmes muzikës”, tha Green.