Aktakuzë ndaj pesë personave për zjarrin në “Gate Club”, dëmi arrin në mbi 969 mijë euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave lidhur me zjarrin që kishte përfshirë diskotekën “Gate Club” në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë. Sipas komunikatës së Prokurorisë, të pandehurit SH.T. dhe F.S. dyshohen për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa B.H., I.M. dhe RR.A. për “Shtytje nga zjarrvënia”. Ndaj F.S. rëndon edhe dyshimi për veprën penale…

Lajme

13/08/2026 11:38

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave lidhur me zjarrin që kishte përfshirë diskotekën “Gate Club” në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, të pandehurit SH.T. dhe F.S. dyshohen për veprën penale “Zjarrvënia”, ndërsa B.H., I.M. dhe RR.A. për “Shtytje nga zjarrvënia”.

Ndaj F.S. rëndon edhe dyshimi për veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, më 14 shkurt 2025, rreth orës 04:53, në rrugën “Epiri”, në zonën industriale Prishtinë–Fushë Kosovë, SH.T. dhe F.S., në bashkëkryerje dhe pas shtytjes nga RR.A., dyshohet se i kanë vënë zjarrin objektit të diskotekës “Gate Club”.

Prokuroria pretendon se për kryerjen e këtij veprimi ata kanë marrë një shpërblim prej 3 mijë eurosh.

“…të pandehurit SH.T., F.S., në bashkëkryerje dhe me dashje pas shtyrjes nga i pandehuri RR.A., dhe në këmbim të shpërblimit prej 3.000 eurosh, i kanë vënë zjarrin objektit të diskotekës ‘Gate Club’”, thuhet në komunikatë.

Si pasojë e zjarrit, sipas aktakuzës, të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material në vlerë prej 969 mijë e 435 eurosh.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe për një rast tjetër të lidhur me hakmarrje. Sipas aktakuzës, nga shtatori deri më 16 nëntor 2025, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, B.H. dhe I.M., së bashku me persona të tjerë, dyshohet se kanë shtyrë një person ende të paidentifikuar që t’i vërë zjarrin automjetit “Range Rover” të S.S.

Sipas Prokurorisë, qëllimi ishte hakmarrja, pasi të pandehurit dyshohet se konsideronin se F.S. dhe SH.T. ishin arrestuar si rezultat i veprimeve të S.S.

Nga djegia e automjetit, sipas aktakuzës, është shkaktuar dëm material në vlerë prej 54 mijë e 892.72 eurosh.

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, pesë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas legjislacionit në fuqi. /Lajmi.net/