Fotografi mahnitëse nga eklipsi i djeshëm diellor
Miliona njerëz në Evropë u mblodhën të mërkurën për të dëshmuar një nga eklipset më të rëndësishme diellore të dekadave të fundit, teksa Hëna mbuloi për disa çaste Diellin. Në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar, Hëna mbuloi më shumë se 90 për qind të Diellit, duke shënuar nivelin më të lartë të…
Lajme
Miliona njerëz në Evropë u mblodhën të mërkurën për të dëshmuar një nga eklipset më të rëndësishme diellore të dekadave të fundit, teksa Hëna mbuloi për disa çaste Diellin.
Në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar, Hëna mbuloi më shumë se 90 për qind të Diellit, duke shënuar nivelin më të lartë të mbulimit që nga viti 1999. Ndërkohë, në disa pjesë të Grenlandës, Islandës dhe Spanjës u vëzhgua një eklips i plotë diellor, një fenomen relativisht i rrallë, shkruan BBC.

Teksa drita e ditës filloi të zbehej, njerëzit në vende të ndryshme të kontinentit ndaluan aktivitetet e tyre për të parë qiellin. Në momentin kur rrezet e fundit të Diellit u zhdukën, disa turma brohoritën, ndërsa të tjerë e ndoqën spektaklin në heshtje.
Në zonat përgjatë shtegut të eklipsit të plotë, ku Hëna e mbuloi tërësisht Diellin, errësira zgjati më pak se dy minuta, para se drita të fillonte gradualisht të rikthehej.

Eklipsi i plotë nisi në skajin e Siberisë, në Rusi. Shtegu i ngushtë i eklipsit vazhdoi mes Islandës dhe Grenlandës, përpara se të kalonte mbi Oqeanin Atlantik dhe të arrinte në veri të Spanjës.
Spanja ishte një nga vendet më të mira për ta vëzhguar fenomenin, duke tërhequr miliona turistë gjatë ditëve të fundit. Eklipsi i fundit i plotë diellor në Spanjë ishte parë më shumë se një shekull më parë.

Por Spanja nuk do të presë gjatë për një tjetër spektakël të tillë. Një eklips i plotë pritet të ndodhë atje edhe në gusht të vitit të ardhshëm, ndërsa në disa zona faza e errësimit të plotë pritet të zgjasë më shumë se gjashtë minuta. Për shkak të kohëzgjatjes së tij, ai tashmë është cilësuar si “eklipsi i shekullit”.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, do të kalojë shumë kohë deri në një eklips të ngjashëm. Një eklips i pjesshëm vitin e ardhshëm pritet të mbulojë rreth 45 për qind të Diellit në disa rajone, ndërsa eklipsi i ardhshëm i plotë diellor në këtë vend nuk pritet deri në shtator të vitit 2090.
