Gërvalla tha se Kuvendi konstituohet më 6 shtator, Gruda: Nuk bëhet, ata do të presin derisa të kenë pushtet absolut

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka folur në konferencë për media në lidhje me moskostituimin e Kuvendit. Ai ka thënë se kanë dorëzuar në emër të partisë, kërkesë drejtuar Avni Deharit për mbajtjen dhe vazhdimin e seancës konstituive për nesër me 14 gusht në ora 11:00, sepse duke përmendur rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhje…

Lajme

13/08/2026 09:33

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka folur në konferencë për media në lidhje me moskostituimin e Kuvendit.

Ai ka thënë se kanë dorëzuar në emër të partisë, kërkesë drejtuar Avni Deharit për mbajtjen dhe vazhdimin e seancës konstituive për nesër me 14 gusht në ora 11:00, sepse duke përmendur rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhje duhet të ketë çdo 48 orë.

“Ne e kemi dorëzuar këtë kërkesë për të kërkuar respektimin e Kushtetutës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe rreguloren e punës së Kuvendit. Ju tashmë e dini që afati për konstituimin e Kuvendit ka kaluar, është shkelur Kushtetuta, është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese megjithatë siç ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kalimi i këtij afati për konstituim nuk e shuan detyrimin që kemi ne si deputet për ta konstituuar Kuvdendin sepse Gjykata ka thënë se mos-respektimi i afatit nuk e shpërndan Kuvendin”, ka thënë Gruda.

Ai ka thënë se funksionin e tyre të deputetit që e kanë me mandat të plotë, po ua pamundëson ta ushtrojnë Levizja Vetëvendosje.

“Funksionin tonë po na e pamundëson ta ushtrojmë Lëvizja Vetëvendosje.  Unë i bëj thirrje deputetit Albin Kurti, qe ta lejoj Deharin ta thërras mbledhjen në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e punës së Kuvendit.  Dehari është kryesues i seancës konstituive vetëm për shkak të moshës, për asnjë gjë tjetër. Atij nuk i takon të komentoj marrëveshjet politike eventuale, ai ka një rol teknik për të thrirur seancën në përputhje me rregullorën dhe për ta udhëhequr atë seancë”, ka thënë Gruda.

Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk është statut i VV-së që të varet nga momenti politik i kësaj partie.

“Në Gjykatë Kushtetuese dërgohen për interpretim nenet e Kushtetutës së Kosovës. Në Gjykatë Kushtetuese në asnjë rast nuk dërgohet për interpretim interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një interpretim dhe ka thënë që brenda 30 ditësh jo vetëm duhet të fillohet por duhet të kryhet konstituimi. Do të ishte absurde me e dërgu interpretimin për interpretim, sepse pushteti don me e kriju këtë absurditet. Kjo është qesharake.  Sa i përket diskutimit publik se ka pasoja nga shkelja e afatit, është mungesë e njohjeve bazë të koncepteve kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës nuk ka asnjë mungesë. Do të ishte absurd të mendohet që pas çdo norme kushtetuese të vendoset një sanksion. Kjo nuk është norma e Kushtetutës”, ka shtuar Gruda.

Në lidhje me deklaratën e Donika Gërvallës se do të bëhet Kuvendi me 6 shtator, ai ka thënë se nuk e bëjnë.

“VV nuk e bën as me 6 shtator Kuvendin sepse i ka dy qëllime politike që don me i arrit. E para është me e mbajt Kosovën të bllokuar deri në ditën kur pretendon me e marrë pushtetin absolut, që është me e marr edhe Presidentin. Nëse në këtë rrugë nuk arrin me e marr pushtetin ata synojnë me e qu vendin në zgjedhje në një rrugë që ju konvenon atyre. Mbajeni për fjale Donika Gërvallën, tha Kuvendi do të formohet për 60 ditë. E shpikin çdo lloj interpretimi absurd sepse rendi kushtetues i Kosovës tashmë është përmbysur”, ka shtuar Gruda. /Lajmi.net/