Emërime, pozita drejtorësh e para të majme- Qeveria në detyrë miraton 24 vendime, Supremja ia kishte ndaluar

Pavarësisht se Gjykata Supreme kishte rrëzuar një vendim të marrë nga një ministër në detyrë, duke konstatuar se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të ministrit, Qeveria e Kosovës edhe këtë herë ka vazhduar me vendimmarrje. Në mbledhjen elektronike të zhvilluar mbrëmë, Qeveria në detyrë ka miratuar gjithsej 24 vendime.…

Lajme

13/08/2026 08:32

Pavarësisht se Gjykata Supreme kishte rrëzuar një vendim të marrë nga një ministër në detyrë, duke konstatuar se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të ministrit, Qeveria e Kosovës edhe këtë herë ka vazhduar me vendimmarrje.

Në mbledhjen elektronike të zhvilluar mbrëmë, Qeveria në detyrë ka miratuar gjithsej 24 vendime.

Kësaj radhe, në mesin e vendimeve janë edhe një numër i madh i emërimeve të komisioneve për pranimin e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese në institucione të ndryshme të Kosovës.

Për këtë ka reaguar, njohësi i politikave të Qeverisë, Eugen Cakolli, nga KDI, i cili ka ngritur pikëpyetje serioze për kompetencat e kësaj Qeverie.

Cakolli ka argumentuar se 19 nga 21 anëtarët e kabinetit në detyrë janë deputetë të certifikuar dhe se vazhdimi i tyre në funksione ekzekutive është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ai i është referuar pikërisht rastit të Hekuran Muratit, ku Gjykata Supreme e kishte shfuqizuar një udhëzim administrativ të nxjerrë prej tij pasi ishte certifikuar si deputet.

“Sipas Supremes, një ministër që është njëkohësisht deputet nuk mund të ushtrojë funksione ekzekutive, ndërsa një Qeveri në detyrë mund të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara, duke përjashtuar miratimin e akteve të reja normative”, ka thënë Cakolli

Megjithatë, Qeveria në detyrë ka vazhduar me vendimmarrje.

Në mbledhjen e sotme janë miratuar komisione pranimi për pozita të larta drejtuese në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, Thesarin e Kosovës, Agjencinë Kosovare për Standardizim, Agjencinë për Siguri Kibernetike, Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Agjencinë për Inovacion dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, Agjencinë Antidoping, Agjencinë e Sportit dhe Agjencinë për Zhvillimin e Rinisë.

Komisione të tilla janë miratuar edhe për pozitat e Kryeinspektorit në Inspektoratin e Tregut, Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, si dhe për pozita të larta në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe institucione të tjera.

Qeveria ka aprovuar edhe listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj.

Përveç emërimeve, janë marrë edhe vendime për shpronësime.

Po ashtu, është miratuar shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim të pronave në Prishtinë për ndërtimin e ndërtesës administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ndër vendimet e tjera është edhe themelimi i Komisionit Kombëtar për Refugjatë.

Ndërsa 100 mijë euro janë ndarë për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.

Pikërisht vendimet për rekrutime në pozita të larta publike dhe vendimmarrja e Qeverisë në detyrë janë pjesa që Cakolli i konsideron më problematike.

Ai ka kërkuar që vendimet e marra pas certifikimit të deputetëve të evidentohen dhe të kontestohen në rrugë gjyqësore, duke argumentuar se vendimmarrja e këtij kabineti duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi përfundimtar nga Gjykata Supreme.

Kjo vendimmarrje vjen në një periudhë kur Kuvendi vazhdon të jetë i pakonstituuar, vendi mbetet në pritje të formimit të institucioneve të reja, përderisa VV-ja po refuzon te themeloje institucionet tjera pa u marre vesh për Presidentin.