Çitaku paralajmëron ankesë në IPK: Pjesëtarë të mbrojtjes së afërt cenuan integritetin fizik të deputetëve të PDK-së

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar skenat e krijuara në sallë si “jo të këndshme”. Çitaku ka pretenduar se disa deputetë kanë qenë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes së afërt, për të cilët tha se kanë cenuar integritetin fizik të deputetëve…

Lajme

12/08/2026 16:53

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar skenat e krijuara në sallë si “jo të këndshme”.

Çitaku ka pretenduar se disa deputetë kanë qenë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes së afërt, për të cilët tha se kanë cenuar integritetin fizik të deputetëve të PDK-së.

“Sot pamë edhe disa shfaqje jo të këndshme në Kuvend. Kishte deputetë të shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë, mbrojtjes së afërt, të cilët cenuan edhe integritetin fizik të disa prej deputetëve të PDK-së. Për këtë çështje do të ndërmarrim masa në IPK”, deklaroi Çitaku.

Ajo tha se PDK-ja nuk ndodhet në Kuvend për “show”, por për të përmbushur, siç u shpreh, detyrimin ligjor për konstituimin e Kuvendit.

“Nuk jemi këtu as për show. Ky nuk ka qenë aksion politik, ne i jemi përgjigjur detyrimit tonë ligjor, ta konstituojmë Kuvendin e Republikës”, u shpreh Çitaku.

Deputetja e PDK-së bëri të ditur se partia e saj do t’i drejtohet sërish me shkrim kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, me kërkesën që seanca të thirret pas 48 orësh. /Lajmi.net/