Çitaku: Kushtetuta nuk mund të zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie, Kuvendi është efektivisht i mbyllur

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, se po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Çitaku, në një konferencë për media, tha se Dehari po i nënshtrohet, sipas saj, vullnetit politik të partisë…

Lajme

12/08/2026 16:41

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, se po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Çitaku, në një konferencë për media, tha se Dehari po i nënshtrohet, sipas saj, vullnetit politik të partisë së tij, raporton lajmi.net.

“Fatkeqësisht nuk e bën, zoti Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe po i nënshtrohet vullnetit politik të partisë së tij”, tha Çitaku.

Ajo ka përmendur edhe, siç e cilësoi, shkeljen e detyrimeve procedurale për thirrjen e seancës konstituive.

“Kjo nuk është shkelja e parë e Kushtetutës. Më pas u shpërfill detyrimi procedural për seancën konstituive çdo 48 orë, siç e patë, u refuzua ftesa për thirrjen e seancës konstituive”, u shpreh ajo.

Sipas Çitakut, Kushtetuta nuk mund të zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie politike.

“Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie? Kjo është e papranueshme”, deklaroi ajo.

Çitaku tha se Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.

“Kuvendi është efektivisht i mbyllur, deputetëve po u pamundësohet funksionimi i mandateve të tyre. Këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti e as partia e LVV-së, por përmes bllokimit të Kuvendit, Albin Kurti po na pamundëson funksionimin e mandatit që na e ka dhënë sovrani”, tha ajo.

Ajo theksoi se PDK-ja nuk po kërkon pushtet për vete, por funksionalizimin e institucioneve.

“Ne nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në, por kërkojmë funksionalizim për shtetin”, tha Çitaku.

Në fund, ajo bëri të ditur se PDK-ja do të vazhdojë kërkesat për thirrjen e seancës konstituive.

“Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe aktiviteti ynë nuk do të ndalet vetëm këtu”, përfundoi Çitaku. /Lajmi.net/