Abdixhiku nuk iu bashkua opozitës në Kuvend, nesër mbledh grupin parlamentar në selinë e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk mori pjesë në aksionin e opozitës brenda Kuvendit të Kosovës, ku deputetët protestuan ndaj situatës së krijuar rreth moskonstituimit të Kuvendit. Nga LDK-ja, në këtë aksion mori pjesë vetëm deputeti Armend Zemaj. Megjithatë, sipas burimeve të Nacionale, Abdixhiku u ka dërguar mesazh anëtarëve të grupit parlamentar…

Lajme

12/08/2026 15:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk mori pjesë në aksionin e opozitës brenda Kuvendit të Kosovës, ku deputetët protestuan ndaj situatës së krijuar rreth moskonstituimit të Kuvendit.

Nga LDK-ja, në këtë aksion mori pjesë vetëm deputeti Armend Zemaj.

Megjithatë, sipas burimeve të Nacionale, Abdixhiku u ka dërguar mesazh anëtarëve të grupit parlamentar të LDK-së, duke i ftuar në një takim të përbashkët nesër në ora 14:00, në Selinë e LDK-së.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku u ka kërkuar deputetëve që qëndrimet dhe diskutimet politike t’i mbajnë brenda organeve të partisë, duke theksuar nevojën që LDK-ja të ketë një qëndrim të përbashkët.

“Të nderuar, Ju ftoj për takim të përbashkët, nesër, në ora 14:00, në Selinë e LDK-së. Ju lus, po ashtu, që qëndrimet dhe diskutimet t’i mbajmë brenda organeve të partisë, duke respektuar rendin dhe përgjegjësinë tonë partiake”, thuhet në mesazh.

Abdixhiku ka theksuar se, në situatën aktuale politike, LDK-ja duhet të flasë me një zë.

“Në këto kohë të rëndësishme për vendin, është e domosdoshme që LDK të flasë me një zë; pasi t’i ketë diskutuar çështjet, peshuar me kujdes dhe dakorduar plotësisht qëndrimet e saj”, ka shkruar ai.

Në fund, kreu i LDK-së ka ftuar deputetët që nesër të diskutojnë hapur dhe të përcaktojnë së bashku hapat e mëtejmë të partisë.

“Nesër takohemi, diskutojmë hapur dhe përcaktojmë së bashku rrugën përpara. Shihemi, Lumiri”, përfundon mesazhi.