Kurti në Ditën e Rinisë: Pasuria jonë më e madhe janë të rinjtë, por potenciali nuk zhvillohet vetvetiu
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në lansimin e raportit “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Kurti tha se të rinjtë janë pasuria më e madhe e Kosovës, por sipas tij, zhvillimi…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në lansimin e raportit “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Kurti tha se të rinjtë janë pasuria më e madhe e Kosovës, por sipas tij, zhvillimi i potencialit të tyre kërkon mundësi, mbështetje, arsim cilësor, punësim, siguri dhe mirëqenie.
“Pasuria jonë më e madhe janë të rinjtë, mirëpo potenciali siç e dimë nuk zhvillohet vetvetiu. Kërkon mundësi e mbështetje. Kërkon arsim cilësor, punësim adekuat, siguri dhe, mbi të gjitha, mirëqenie”, tha Kurti.
Ai theksoi se shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jetë pjesë e diskutimit dhe veprimit institucional.
“Kur flasim për të ardhmen e Kosovës, duhet të flasim edhe për shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve tanë. Sepse nuk mund të ndërtojmë kapital të fortë njerëzor pa investuar në mirëqenien emocionale të fëmijëve”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Sipas Kurtit, përgjegjësia për shëndetin mendor të të rinjve nuk i takon vetëm një ministrie apo një sektori, por lidhet me familjen, arsimin, komunitetin dhe shërbimet publike.
Ai tha se Qeveria ka ndërmarrë një sërë politikash që synojnë mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve, duke përmendur shtesat për fëmijë, mbështetjen për studentët, programin Superpuna, Kosovo Generation Unlimited dhe Strategjinë Shtetërore për Rininë.
“Prandaj, i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti dhe i shohim ato si udhërrëfyes që ndihmon në forcimin e shërbimeve në shkolla dhe në komunitete, si dhe për ta përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe mekanizmave të ndryshëm e të veçantë, duke garantuar që asnjë fëmijë dhe asnjë i ri të mos mbetet i vetëm përballë sfidave”, tha Kurti.
Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Kurti iu drejtua drejtpërdrejt të rinjve, duke thënë se zëri dhe mirëqenia e tyre kanë rëndësi.
“Zëri juaj ka shumë rëndësi. Mirëqenia juaj ka shumë rëndësi. Ëndrrat tuaja kanë shumë rëndësi. E ardhmja e Republikës së Kosovës nuk do të ndërtohet vetëm nga ne për ju. Ajo do të ndërtohet edhe nga ju dhe së bashku me ju”, u shpreh ai.
Në fund, ai tha se detyrë e institucioneve është krijimi i kushteve që të rinjtë të jetojnë me dinjitet, të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të kenë mundësi për arsimim e punësim. /Lajmi.net/