Gani Geci dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit, paralajmëron rritje të tensioneve: Do të jenë të rrezikshme për vendin
Një kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe personave të tjerë, nën pretendimin se kanë shkelur Kushtetutën. Kallëzimin e ka dorëzuar Gani Geci, së bashku me avokatin e tij Gent Gjini, ndërsa Geci ka paralajmëruar për rritje të tensioneve politike dhe ka kërkuar që institucionet të hetojnë…
Lajme
Një kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe personave të tjerë, nën pretendimin se kanë shkelur Kushtetutën.
Kallëzimin e ka dorëzuar Gani Geci, së bashku me avokatin e tij Gent Gjini, ndërsa Geci ka paralajmëruar për rritje të tensioneve politike dhe ka kërkuar që institucionet të hetojnë përgjegjësit për shkeljet e pretenduara.Geci tha se ka dorëzuar kallëzim penal pasiqë sipas tij ka tensione, të cilat do të rriten dhe do paraqesin rrezik për vendin.
“Ne sot kemi dorëzuar një kallëzim penal kundër s’po di a me i thënë kryeministrit sepse ai është në detyrë që dy-tre vjet, edhe kundër të gjithë atyre që janë duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Faktikisht, unë edhe në vitin 1998 e kam pasur marrë Kushtetutën e Kaçanikut dhe ia kam pasur dërguar në Likoc atyre, i kam thënë mos e shkelni se këtë e kemi organin më të lartë shtetëror. Ata e kanë pasur shkelur, por tash i kanë rënë pishman. Kushdo që e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka me i rënë një ditë pishman.Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është e imja, nuk është as e atyre të Kuvendit aty. Është e juaja, e qytetarëve, është e Republikës së Kosovës dhe duhet të mbrohet me të gjitha mjetet. Dhe ata që e mbrojnë Kushtetutën në një cep të Kosovës dhe e shkelin në një cep tjetër, nuk e kanë për detyrë që me e mbrojtur atje e me e shkelur këtu. E kanë për detyrë cep më cep me e mbrojtur Kushtetutën edhe në Kuvend. Dhe unë shoh tensione, prandaj kam ardhur këtu me bërë një kallëzim penal, sepse tensionet do të rriten dhe do të jenë të rrezikshme për vendin në të ardhmen. Sepse një njeri që dëshiron me qenë një farë diktatori, është i rrezikshëm për vendin”, tha ai.
I pyetur për koalicion mes LVV-së dhe LDK-së, Geci u shpreh se është pro, mirëpo sipas tij Kurti nuk do bashkëpunim me askënd.
“Ne kemi thënë që jemi për koalicion dhe unë jam për koalicion, sepse koalicionet ndërtohen duke pasur besim, duke pasur një bashkëpunim. Ky njeri s’do bashkëpunim me kërkënd. Ky thotë “hajde bëjmë bashkëpunim”, ndërsa në momentin e bashkëpunimit thotë “ke me ia bë si të them unë”.
Bashkëpunimet nuk janë bash veç qysh thotë ai, duhet edhe bash si të thojnë të tjerët.Unë e di që LDK-ja nuk i ka votat me e bërë presidentin, por LDK-ja e ka dhënë kryeministrin me gjashtë vota atëherë kur ka qenë presidenti Rugova”, tha ai.
I pyetur se çfarë vendimi pret të marrë Prokuroria, Geci tha se nuk përzihet në çështjet e prokurorisë.
“Ne nuk i përzihemi prokurorisë, çështjet e prokurorisë, ne kemi bërë kallëzim. Kur është kallëzimi, është me i kallëzuar dikujt diçka që dikush e ka bërë një vepër. Ne kemi kallëzuar domethënë, e ata që bëjnë, ata duhet t’i hetojnë të gjitha akterët që mund ta ketë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Unë jam i bindur që këtu një nen i Kodit Penal është shkelur dhe ai nen është “Detyra zyrtare”. Domethënë, njerëzit i kanë detyrat zyrtare, në qoftë se e zbaton ose për veprime e mosveprime, je përgjegjës”, tha ai.
Ndërsa, avokati përfaqësues i Gecit, Gent Gjini, u shpreh se ky kallëzim është bazuar në prova dhe fakte, duke i bërë thirrje Prokurorisë të vendosë masa të përkohshme.
“Unë si avokat i zotëriut Geci, veç të tjerash ky kallëzim penal në aspektin profesional është i ndërtuar mbi bazën e fakteve dhe provave. Para së gjithash kemi një vendim të Gjyskatës Supreme e cila ia ndalon deputetëve që në të njëjtën kohë ta ushtrojnë postin e ekzekutivit. Pasi që kemi parë që një vendim i ministrit Hekuran Murati iu është shfuqizuar dhe është shpallur e pavlefshme, tani bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale sepse me mandat edhe me ligjin mbi kompetencat e prokurorisë, prokuroria ka të drejtë të vendosë masa të përkohshme.Dhe duke e ditur se kjo çështje ka devijuar në Gjykatën Kushtetuese, dhe Gjykata Kushtetuese i ka vënë disa variante të interpretimit që ne duhet ta pranojmë sepse është vendim i formës së prerë dhe për të gjithë akterët politikë është vendim i pakontestuar, atëherë nuk është e arsyeshme që edhe një herë çështja të delegohet në Gjykatën Kushtetuese sepse do të ishte interpretim mbi interpretim”, tha ai.
Gjini theksoi se përveç keqpërdorimit të detyrës zyrtare po keqpërdoret edhe paraja publike.
“Andaj, me këtë kallëzim penal ne kemi shpërfaqur edhe dukurinë e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi në të njëjtën kohë sot deputetët që ushtrojnë postet ministrore dhe marrin vendime, dhe me këtë ata marrin dy paga. Dhe me këtë po keqpërdoret edhe paraja publike, edhe po cenohet ndarja e pushteteve sepse Parlamenti dhe Ekzekutivi duhet t’i ndajnë kompetencat e tyre. Dhe tani kemi vendimin e Gjykatës Supreme që akterët nuk po e respektojnë, dhe ky kallëzim penal besoj që prokuroria do ta trajtojë me seriozitetin më profesional dhe do të vendosë në mënyrë imediate masën e përkohshme, sepse kërkojmë masë të përkohshme që qeveria në detyrë të mos marrë akte administrative, sepse në çdo ditë shkel dispozitat pozitive të vendit”, tha ai.