Miftaraj me akuza të forta ndaj Haxhiut e Nagavcit: Janë pasuruar përtej mundësive të pagës, zëri i tyre është për kapjen e shtetit

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci. Miftaraj ka ngritur pretendime lidhur me pasurinë e dy deputeteve, duke thënë se ato janë pasuruar përtej mundësive që, sipas tij, ua mundëson paga nga buxheti i Kosovës. “Albulena Haxhiu dhe…

Lajme

12/08/2026 15:09

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci.

Miftaraj ka ngritur pretendime lidhur me pasurinë e dy deputeteve, duke thënë se ato janë pasuruar përtej mundësive që, sipas tij, ua mundëson paga nga buxheti i Kosovës.

“Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci janë nga ata eksponentë të VV-së të cilët janë pasuruar përtej mundësive buxhetore që ua siguron paga nga buxheti i Kosovës”, ka shkruar Miftaraj.

Ai ka përmendur edhe pasuri të paluajtshme që, sipas tij, janë deklaruar nga dy figurat e VV-së.

Sipas Miftarajt, njëra prej tyre posedon një banesë në Dragodan me vlerë prej 128 mijë eurosh, ndërsa tjetra një shtëpi në Sofali, me vlerë rreth 200 mijë euro.

Miftaraj ka kritikuar edhe qëndrimet publike të Haxhiut dhe Nagavcit, duke pretenduar se deklaratat e tyre nuk lidhen me, siç është shprehur ai, interesin e shtetit apo parimet politike.

“Zëri i tyre i zhurmshëm nuk është as për shtet as për parime, veç me vazhdu kapjen e shtetit që me jetu si në përralla në shtetin më të varfër në Evropë”, ka deklaruar ai.

Në fund të reagimit, Miftaraj ka shtuar: “Albulena e Arbërie ka shumë në LVV.”

Pretendimet e Miftarajt janë deklarata të tij dhe nuk përbëjnë fakte të vërtetuara pa verifikim të pavarur. /Lajmi.net/