Abrashi: Vlora Çitaku mund të bëhet kryetare e Kuvendit nëse PDK-ja pranon ofertën e Kurtit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se PDK-ja mund ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nëse pranon ofertën e bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka përmendur mundësinë që deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, të zgjidhet kryetare e Kuvendit. “Vlora Çitaku mund të…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se PDK-ja mund ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nëse pranon ofertën e bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka përmendur mundësinë që deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, të zgjidhet kryetare e Kuvendit.
“Vlora Çitaku mund të bëhet kryetare e Kuvendit nëse Bedri Hamza e pranon ofertën e Albin Kurtit”, ka shkruar Abrashi.
Sipas tij, PDK-ja do ta merrte këtë pozitë në këmbim të mbështetjes për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“PDK e fiton kryeparlamentarin vetëm dhe vetëm që të mos e bllokojë zgjedhjen e presidentit të ri”, ka deklaruar Abrashi.
Oferta e përmendur nga deputeti i LVV-së ishte bërë në letrën e fundit që Kurti ia kishte dërguar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Në atë letër, Kurti kishte propozuar një ndryshim të pozitave në udhëheqjen e Kuvendit, në këmbim të qëndrimit të deputetëve të PDK-së në sallë dhe pjesëmarrjes në votimin për presidentin e ri.
“Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne”, thuhej në ofertën e Kurtit.
Sipas tij, kjo do t’i mundësonte PDK-së të udhëheqë njërën prej tri pozitave të larta politike shtetërore.
PDK-ja deri tani ka mbajtur qëndrim kundër marrëveshjeve të tilla me LVV-në, ndërsa Hamza ka refuzuar takimet me Kurtin.