“Mos me ju votu kurrë” – Mërgimtarët përplasen me deputeten në Kuvend, Kabashi-Rama: Po kërkojmë të krijohet Kuvendi

Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar një përplasje verbale mes deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramës, dhe disa mërgimtarëve që kishin vizituar objektin e Kuvendit. Gjatë bisedës, njëri nga mërgimtarët e ka pyetur deputeten se çfarë kanë bërë deputetët deri tani, duke kritikuar situatën e krijuar rreth mosvazhdimit të seancës konstituive. “Çka bëtë deri tash? Ju…

Lajme

12/08/2026 14:01

Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar një përplasje verbale mes deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramës, dhe disa mërgimtarëve që kishin vizituar objektin e Kuvendit.

Gjatë bisedës, njëri nga mërgimtarët e ka pyetur deputeten se çfarë kanë bërë deputetët deri tani, duke kritikuar situatën e krijuar rreth mosvazhdimit të seancës konstituive.

“Çka bëtë deri tash? Ju po bërtitni, po rroplloni”, i është drejtuar ai deputetes.

Kabashi-Rama ka tentuar të shpjegojë situatën, duke thënë se deputetët janë duke u munduar ta kryejnë detyrën e tyre.

“Po mundohemi ta bëjmë punën tonë. E kemi bërë betimin, nuk po thirrin seancën. Është e obligueshme çdo 48 orë”, ka thënë ajo.

Por mërgimtari i është kundërpërgjigjur duke thënë se sjellja e deputetëve po i largon qytetarët.

“Ju vetë po na largoni me dorën e juaj neve”, ka deklaruar ai.

Kabashi-Rama i ka siguruar mërgimtarët se janë të mirëseardhur në Kuvend.

“Absolutisht jeni të mirëseardhur”, ka thënë deputetja.

Megjithatë, një tjetër mërgimtar ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj deputetëve.

“Mos me ju votu kurrë”, ka deklaruar ai, ndërsa një tjetër ka thënë: “Kush është i mirëseardhur për juve? A kurrë hiç. Ju nuk e meritoni as frymën me marrë këtu, ajrin. Haram. Sot është dita jonë, prej orës 12, çka po bëni ju?”

Kabashi-Rama ka theksuar se deputetët po kërkojnë vetëm krijimin e Kuvendit, në mënyrë që të mund t’u shërbejnë qytetarëve.

“Mirë se vini, ne vetëm po kërkojmë me u kriju Kuvendi që na me mujt me i shërby qytetarëve tonë. Për momentin është e pamundur”, është shprehur ajo.

Një tjetër mërgimtar ka shprehur zhgënjimin e tij me situatën dhe ka ngritur shqetësimin edhe për vizitat në Kuvend.

“Zonja deputete, unë jam shumë i zhgënjyer me këto sjelljet e juaja si deputet. Unë ju përshëndes të gjithëve në përgjithësi, po të paktën na i kemi tri ditë që na e keni ofru mundësinë për me vizitu sallën e Parlamentit dhe atë na e mohoni, na e merrni në ditën e tretë”, ka deklaruar ai. /Lajmi.net/