IPK nis hetim për pretendimet për tejkalim të autorizimeve policore gjatë aksionit në Zubin Potok

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim paraprak sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për tejkalim të autorizimeve nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një operacioni policor në fshatin Dren të Zubin Potokut. Përmes një komunikate për media, IPK ka bërë të ditur se hetimi është iniciuar pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike…

Lajme

12/08/2026 12:14

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetim paraprak sipas detyrës zyrtare lidhur me pretendimet për tejkalim të autorizimeve nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një operacioni policor në fshatin Dren të Zubin Potokut.

Përmes një komunikate për media, IPK ka bërë të ditur se hetimi është iniciuar pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike të bëra më 11 gusht 2026 nga qytetari me inicialet N.R.

Sipas IPK-së, qëllimi i hetimit është verifikimi i pretendimeve dhe sqarimi i të gjitha fakteve dhe rrethanave që lidhen me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë operacionit.

“IPK ka filluar këtë hetim paraprak me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sqarimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante që lidhen me këtë rast, respektivisht veprimeve policore gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut”, thuhet në komunikatë.

Inspektorati ka theksuar se hetimi nuk paragjykon rezultatin e rastit, ndërsa në këtë fazë do të mblidhen dhe vlerësohen të gjitha informacionet dhe provat e disponueshme.

IPK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, përfshirë sigurimin e dokumentacionit dhe informacioneve zyrtare, intervistimin e personave që mund të kenë dijeni për incidentin dhe bashkëpunimin me institucionet përkatëse.

“Çdo ankesë apo informacion me lidhur me pretendimet që kanë të bëjnë me sjelljen e zyrtarëve policorë trajtohet nga IPK me seriozitetin më të lartë”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/